Edhe sot është protestuar në hyrje të fshatit Dumnicë të Podujevës, derisa banorët kanë kërkuar që dalin nga karantina, raporton Llapi.info.

Banorët e tri fshatrave po ankohen se përveç që janë në karantinë, nuk po shpërndahen as ndihma ushqimore dhe higjienike.

Për këtë edhe janë përplasur me drejtorin e Drejtorisë së Shëndetësisë në Komunën e Podujevës, Zaim Thaçi.

Ata kanë shpalosur para tij problemet me të cilat po ballafaqohen, gjersa janë ankuar se Komuna nuk po u del në ndihmë. Madje, siç edhe janë ankuar më parë, banorët pretendojnë se edhe ndihmat po keqpërdoren.

“Ku janë 42 mijë euro? Ku është buxheti i ndarë? Le të vije kryetari edhe ua them edhe ati këto fjalë. Paratë janë tonat, ka shkuan? Kush i mori? Bëjeni regjistrin e hajdeni në Dumnicë. Kjo është hajgare”, i ka thënë drejtorit një banor i këtij fshati.

“Ndihmat s’i keni dhënë. Një pako s’e keni dhënë”, kanë thënë banorët.

Drejtori Thaçi ka thënë se Komuna ka ndarë 125 mijë euro për ndihma, derisa ka kërkuar nga banorët që të formojnë një grup për t’u takuar.

Ndërkohë, përmes një njoftimi, Komuna e Podujevës u ka vazhduar karantinimin për fshatrat Dumnicë e Poshtme, Dumnicë e Epërme dhe Llaushë.

Njoftimi është dhënë nga Shtabi Emergjent i kësaj komune i cili ka ftuar për durim banorët e këtyre tri fshatrave.

Sipas tyre vendimi është marrë pas rezultimit pozitiv në testin e së premtes të familjares së infektuar nga familja Haliti në Dumnicë. Shtabi emergjent i kësaj komune thotë se Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës ka vendosur që masa e karantinës të vazhdojë deri në shërimin e pacientes.

Në mbledhjen e jashtëzakonshme të mbajtur në teatrin e qytetit Avdush Hasani është miratuar vendimi që të ndahen 125 mijë euro për ndihma./Llapi.info