Pronarët e kioskave të vendosura në rrugën e qendrës së Podujevës “Zahir Pajaziti” dhe në rrugën “19 Qershori”, e kanë kundërshtuar vendimin e Drejtorisë së Inspeksionit për largimin e kiosqeve, shkruan Llapi.info

Sipas tyre, Komuna nuk ka kurrfarë të drejte për t’ua hequr këto kioske, pasi para gjashtë vjetësh i kishin shkëputur kontratat me të, kur Gjykata Supreme kishte marrë vendim që hapësira ku është ndërtuar objekti që ishte i dedikuar për Shtëpi të Kulturës. Prej atëherë ata thonë se qiranë ia kanë paguar këtij personi privat dhe jo Komunës. Ata thonë se deri më tani iu është shpërndarë vendimi disa herë.

Besim Kastrati i cili punon si këpucëtar në rrugën “Zahir Pajaziti”, e ka vendimin që nga viti 1994. Kastrati për Llapi.info ka thënë se këtë vendim do ta përkrahte nëse Komuna do t’ua gjendje ndonjë zgjidhje për vendosjen e kioskës.

“Prej vitit ’94 e shfrytëzoj këtë kioskë. Prej fillimit kemi punuar këpucëtar. E kam edhe vendimin që ma ka lëshua komuna ne vitin ’94. Po, na e kanë pru vendimin për me u largu, kanë thanë veç me largu edhe kurrgjë tjetër. Bën zgjidhje vet, bën çka të duash, me rëndësi me hjek kioskën. Na e dimë që jemi në udhë, po keq na lajnë me na i heq. Nuk pajtohemi me na bë një zgjidhje s’kishe me kanë telashe a veç me i hjek jo”, ka thënë Kastrati.

E pronari i një kiosku tjetër me kozmetikë e bizhuteri, D.M. kërkon të di pse Komuna po interesohet tash për t’ua hequr kiosqet kur para gjashtë vjetësh vetë ajo ua kishte shkëputur kontratat.

“Ku ke komuna që na qe gjashtë vjet i japim qira një personi privat këtu me një paragon e nuk doli me na mbrojt? Komuna vet na i ka shkëput kontratat dhe ne i paguajmë në fillim nga 150 euro e tash 100 euro qira këtyre të ‘Pranverës’. Na jemi për me i hjek. Po me ardh personi me paragon me marrë qiranë e tash me ardh komuna me thanë duhet me i hjek. Nëse dje nuk ke pronë e komunës, qysh u bë sot”, ka thënë D.M.

“Vallahi shumë keq mbesim, por prapë na me ta nuk mundemi me u shty. Të hjek edhe nuk të vendos kërkund. Të len pa bukë, maksimumi 300 familje mbijetojnë prej këtyre kioskave dhe varemi prej kësaj pune”, thotë ai.

Edhe pronarë tjerë kanë të njëjtin mendim dhe të njëjtën kërkesë. Që pas vendimit për largim t’iu bëhet një zgjidhje dhe t’i vendosin kioskat diku tjetër.

Në anën tjetër Drejtoria e Inspektoratit ka marrë vendim që kiosqet që gjenden në rrugën “Zahir Pajaziti” dhe atë “19 Qershori” të largohen, deri në mars të vitit 2019.

“Njoftohen të gjithë personat fizikë dhe juridikë të kiosqeve në këtë dy rrugë, të cilët ushtrojnë veprimtari hoteliere (hamburger, dyner, fast food), zejtare (rrobaqepës, këpucëtar, floktar), dhe veprimtari të tjera (produkte kozmetike, material për ceremoni mortore) se u ndalohet ushtrimi i zejes nëpër kiosqe nga data 18.03.2019. Kërkohet nga pronarët e këtyre kiosqeve të respektojnë këtë vendim”, thuhet në njoftimin e Drejtorisë së Inspeksionit.

Sipas njoftimit, në rast të mosveprimit, Inspeksioni në bashkëpunim me Policinë e Kosovës do të ndërmerr masa përkatëse ligjore, mbylljen dhe largimin e kiosqeve dhe inicimin e procedurave gjyqësore.

“Mbetemi të përkushtuar që të mbrojmë dhe të stimulojmë zhvillimin e të gjitha bizneseve në komunën tonë, por mbi të gjitha jemi të interesuar që të mbrojmë interesin publik të qytetarëve tanë me realizimin e të gjitha projekteve të parapara”, thuhet tutje në vendimin e Drejtorisë së Inspeksionit./Llapi.info