Është kërkuar lista e dëshmitarëve të cilët do të dëshmojnë në gjykimin e ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hashim Thaçi, Jakup Krasniqi, Rexhep Selimi e Kadri Veseli në Dhomat e Specializuara të Gjykatës Speciale.

Kërkesa ka ardhur nga avokati mbrojtës i ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, Luka Mishetiq, kërkesë e cila u përkrahë edhe nga avokatët e të tjerëve gjatë konferencës për ecurinë e çështjes, e cila po mbahet në Hagë.

“Fjalë është për cilët dëshmitarë kërkon t’i thërrasë në gjykim dhe cilët nuk do t’i thërrasë. Kemi dëshmitarë për të cilët ZPS-ja ka marrë drejtëpërdrejtë deklaratë dëshmitari dhe ma merr mendja se ata do të dëshmojnë, por ka edhe situata kur kemi marrë dëshmi në formë transkripti nga procese jashtë këtij institucioni, nuk është e qartë nëse këta janë dëshmitarë që do të dëshmojnë këtu, apo do t’i paraqes si prova pa dëshmuar këtu”, theksoi ai.

Tutje, Mishetiq shtoi se, “Do të donim që të dinim, nëse këta dëshmitarë do të thirren nga prokuria për të dëshmuar ose jo. Ne kemi nevojë që të vendosim përparësi në përgatitjet tona, dhe këtë e bëjmë duke e ditur se cilët dëshmitarë do të dëshmojnë në sallë në këtë proces gjyqësor. Prandaj, kërkojmë që Prokuroria ta bëjë një listë për këtë qëllim”, tha avokati Mishetiq.

Mishetiq theksoi se do të donin të dinin nëse kjo listë do të bëhet gati para datës 2 gusht, që janë të sigurt që do të dëshmojnë në sallë, dhe një tjetër për të cilët nuk ka siguri që do të dëshmojnë në sallë.

Avokatët e tjerë mbështetën këtë kërkesë, e cila u refuzua nga prokuroria.

E një gjë të tillë e ka kundërshtuar prokurorja e rastit, Claire Lawson e cila ka thënë se listat jepen brenda afateve të përcaktuara dhe mënyra e dhënies së dëshmisë do të jepet gjithashtu në atë kohë.

“Kjo kërkesë që bëhet nga mbrojtja duket që është komplet jashtë kontekstit dhe pa pasur parasysh veçantitë e çështjes tonë gjyqësore dhe fazën më të avancuar të procesit në rastin tonë”, ka thënë prokurorja.

Nga ZPS kanë thënë se kanë nisur nxjerrjen e materialeve dhe se prokuroria do të mbështesë të gjithë rastin e saj në dëshmitarët që ka pavarësisht nëse ata do të thirren në sallën e gjyqit për të dëshmuar.

Megjithëkëtë, avokati i Thaçit ka deklaruar që do të insistojnë të kërkojnë këtë listë.

Në konferencën e sotme, prokurorja ka përmendur pesë dëshmitarë ndërkombëtarë që lidhen me këtë rast, por që ende nuk janë marrë miratimet për ta.

“Sa u takon marrjes së miratimeve edhe këtu bëhet fjalë për një volum të kufizuar të materialeve janë afërsisht pesë dëshmitarë ndërkombëtar për të cilët nuk janë marrë ende miratimet, ku bëmë përjashtimin tonë të premten që shkoi numri ishte gjashtë por duke qenë se ne morëm miratimin por nuk morëm deklaratën e nënshkruar në një format të përafërt, pra numri është pesë për të qenë të saktë aktualisht”, ka thënë ajo.

ZPS është kritikuar edhe për zvarritje të nxjerrjes së materialeve dhe ndrysim të afatit për dorëzimin e materialeve dhe masave mbrojtëse.

Avokatët kanë kërkuar nga gjykatësi i procedurës paraprake që të caktojë një afat për dorëzimin e raporteve të ekspertëve që i ka paralajmëruar prokuroria.

“Sa i përket raportit të ekspertëve ne duam të shprehim çudinë tonë që ende janë në përgatitje këto raporte ekspertësh. Në nëntor ZPS tha që nuk kishte asnjë arsye se pse mos të fillonte gjyqi këtë muaj, e tani po na thuhet që janë ende ne përgatitje tre raporte ekspertësh, dhe nuk do të jenë gati për afatin e përcaktuar. Ne ju kërkojmë zoti gjykatës të përcaktoni një afat të përcaktuar për çfarëdo raporti ekspertësh që duhet të dorëzohet dhe përdoret për këtë çështje. Që ato që jenë të përfshira në dosjen paraprake të prokurorisë në mënyrë që mbrojtja të jetë mundësisht në dijeni të provave që prokuroria ka ndërmend t’i paraqes”, ka thënë Misetiq, avokat i Thaçit. /Telegrafi/