Prishtinë – Me dhënien e fjalës përfundimtare të palëve, këtë të hënë ka përfunduar rigjykimi ndaj Sedat e Fejard Llugaliu, të cilët po akuzohen se në shkurt të vitit 2016 kanë privuar nga jeta tani të ndjerin Fahri Bunjakut.

Për këtë vrasje, i akuzuar është edhe Esat Llugaliu, mirëpo ndaj tij është veçuar procedura, pasi në natën kur kishte ndodhur ngjarja, ai ka pësuar lëndime trupore të rënda me pasoja të përhershme për shëndetin.

Në fillim të seancës, dy të akuzuarit Sedat e Fejard Llugaliu kanë shfrytëzuar të drejtën e mbrojtjes në heshtje e më pas është dhënë fjala përfundimtare.

Prokurorja Besa Limani ka thënë se kjo çështje është ndriçuar në mënyrë të tërësishme dhe është vërtetuar se tek të dy të akuzuarit në tërësi janë manifestuar elementet e veprës penale.

Ajo ka kërkuar nga trupi gjykues që të akuzuarit t’i shpall fajtor dhe t’i dënojë sipas ligjit, ku gjatë matjes së dënimit ka propozuar të merren parasysh rrethanat rënduese si shkalla e lartë e dashjes dhe paramendimit, motivet e ulëta të kryerjes së veprës penale, fakti se ka disa të dëmtuar, moshën e re të tani të ndjerit, ndërsa për rrethanat lehtësuese ajo tha se prokuroria nuk ka gjetur.

Fjala përfundimtare e prokurores Limani është mbështetur edhe nga palët e dëmtuara, të cilët, fjalën e tyre përfundimtare e kanë dorëzuar me shkrim por nuk e kanë elaboruar.

Ndërsa, mbrojtësi i të akuzuarit Sedat Llugaliu, avokati Gëzim Kollçaku ka thënë se dispozitivi i aktakuzës është në kundërshtim të plotë me provat materiale që janë administruar gjatë këtij shqyrtimi gjyqësor.

Po ashtu avokati Kollçaku ka pasur kritika edhe sa i përket deklaratës së dëshmitarit Arafat Feta për të cilën deklaratë ai ka thënë se ka ndryshuar nga ajo e dhënë në Polici dhe për të njëjtën ka kërkuar që të mos i jepet rëndësi fare.

Në fund të fjalës së tij përfundimtare, Kollçaku ka thënë se në mungesë të provave materiale për të mbrojturin  e tij të nxirret aktgjykim lirues pasi siç tha ai, nuk ka asnjë provë direkte që e involvon të mbrojturin e tij.

Kundërshtime në fjalën përfundimtare të dëshmitarit Arafat Feta kishte edhe mbrojtësi i të akuzuarit Fejard Llugaliu, avokati Skender Musa.

Ndërsa, për deklaratën e dëshmitarit Istref Plakolli, avokati Musa tha se ato që janë të shkruara në aktakuzë nuk janë fjalët e tij.

Tutje, avokati Musa ka thënë se të mbrojturit tij i vije keq për këtë ngjarje dhe i njëjti ka kërkuar nga trupi gjykues që të merret aktgjykim lirues sepse sipas tij, i mbrojturi i tij nuk ka qenë fare në vendin e ngjarjes, gjë që është vërtetuar përmes ADN-së.

Pas fjalës përfundimtare të mbrojtjes, kundërshtime ka pasur nga prokurorja Limani, përfaqësuesit e të dëmtuarve dhe vetë të dëmtuarit.

Me përfundimin e fjalës përfundimtare të palëve, kryetari i trupit gjykues, gjykatësi Kujtim Krasniqi e ka shpallur të përfunduar shqyrtimin gjyqësor për këtë çështje penale kurse shpalljen e aktgjykimit e ka caktuar më 4 gusht 2021.

Ndryshe, Gjykata Themelore në Prishtinë, më 30 korrik 2019 kishte shpallur fajtor të akuzuarin për vrasje të rëndë, Sedat Llugaliu, ndërsa e kishte liruar nga kjo akuzë vëllain e tij, Fejard Llugaliu.

I akuzuari Sedat Llugaliu, për veprën penale “vrasja e rëndë”, ishte dënuar me 18 vite burgim kurse ishte shpallur i pafajshëm për veprën penale të armëmbajtjes pa leje.

Fejard Llugaliu ishte shpallur fajtor për armëmbajtje pa leje dhe ishte dënuar me burgim efektiv në kohëzgjatje prej 3 vite e 6 muaj.

Ndërkaq, për veprën penale “vrasja e rëndë”, i akuzuari Fejard Llugaliu ishte liruar nga akuza, pasi që sipas trupit gjykues të kryesuar nga gjykatësja Valbona Musliu-Selimaj, nuk ishte vërtetuar se i njëjti është kryerës i kësaj vepre penale.

Të pakënaqur me këtë aktgjykim, palët kishin ushtruar ankesa në Gjykatën e Apelit. Kjo e fundit e kishte anuluar aktgjykimin e shkallës së parë dhe lëndën e kishte kthyer në rigjykim.

Sipas aktakuzës së ngritur me 5 prill 2017, vëllezërit Llugaliu më 7 shkurt të vitit 2016, rreth orës 21:40, në rrugën e “Xhamisë” në Podujevë, pas marrëveshjes paraprake mes tyre i kishin dalë në pritë të ndjerit Fahri Bujaku dhe Arafat Fetës.

Një gjë të tillë, të akuzuarit e kishin bërë me dashje që të privojë nga jeta të ndjerin Bunjaku dhe nga hakmarrja për shkak të konflikteve të mëhershme të familjes Lugalliu dhe Bunjaku rreth biznesit.

Sipas aktakuzës, Esat Llugaliu kishte shtënë në drejtim të tyre me pistoletë dhe bashkë me të kanë shtënë edhe personat NN dhe të pandehurit Fejard dhe Sadat Llugaliu që kanë dal nga vetura e tyre, kurse personat NN kanë qenë të fshehur në qoshe të një ndërtese.

Për të shpëtuar nga të shtënat me armë, aktakuza thotë se Feta ka dal nga vetura dhe ka ikur, kurse, tani i ndjeri Fahri Bunjaku është qëlluar me armë zjarri dhe në atë gjendje ka dal nga vetura, por pasi të shtënat nuk janë ndalur në vetëmbrojtje ka shtënë në drejtim të tyre dhe ka ikur drejtë shtëpisë së të dëmtuarit Halit Kika.

Për këto veprime Prokuroria Themelore në Prishtinë, të akuzuarit i ngarkon me veprën penale “vrasje e rëndë”.