Prokuroria Themelore e Prishtinës ka ngritur aktakuzë ndaj shefit të personelit në Komunën e Podujevës, Ahmet Ahmeti për mosekzekutim të vendimeve gjyqësore. Zyrtarët e Prokurorisë kanë thënë se bëhet fjalë për një rast të mosekzekutimit të vendimit, por nuk kanë dhënë detaje më shumë. Zëdhënësi i Prokurorisë Speciale, Ekrem Lutfiu, ka thënë se në këtë aktakuzë nuk ta përfshirë të tjerë, pos Ahmet Ahmetit.

“Prokuroria Themelore në Prishtinë ka ngritur aktakuzë më 08.01.2018, kundër të akuzuarit Ahmet Ahmeti, për vepër penale ‘mosekzekutimi i vendimeve gjyqësore’ nga neni 402, paragrafi 1 i KPRK-së. Bëhet fjalë vetëm për një rast. Kallëzimi penal është ushtruar vetëm kundër të akuzuarit, dhe bazuar në prova, është ushtruar aktakuzë vetëm kundër të akuzuarit në fjalë”, ka thënë Ekrem Lutfiu, shkruan sot Koha Ditore.

Në nenin 402, pika 1 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës që flet për mosekzekutimin e vendimeve gjyqësore thuhet se personi zyrtar apo përgjegjës i cili refuzon të ekzekutojë urdhrin, vendimin apo aktgjykimin e plotfuqishëm të ndonjë gjykate të Republikës së Kosovës po i cili nuk e ekzekuton vendimin brenda afatit ligjor apo afatit të caktuar me vendim, dënohet me gjobë ose me burgim deri në dy vjet..