Profesori i Universitetit të Stokholmit në Suedi, Tom Britton, ka deklaruar se mund të “vë bast” se në këtë vend skandinav me 10 milionë banorë, aktualisht janë të infektuar nga 250 deri në 500 mijë persona.

“T.S. Elliot dikur kishte shkruar se muaji prill është më i rrezikshmi, dhe ekzistojnë gjasat që në këtë muaj të ndodh përhapja më intensive e coronavirusit”, thotë profesori Britton, i cili ka specializuar për trajtimin e sëmundjeve ngjitëse, transmeton Telegrafi.

“Kjo sëmundje është aq ngjitëse sa që gjysma e popullsisë së Suedisë do të infektohen në fund të muajit prill. Pas kësaj, përhapja nuk do të ndalet, por thjesht do të jetë më e ngadaltë”, ka shtuar Britton gjatë një paraqitje televizioni në televizionin nacional suedez SVT.

Ai madje ka shkuar aq larg sa që ka thënë se mund të “vë bast” me këdo, që nga 250 deri në gjysmë milioni janë aktualisht të infektuar në Suedi. Është një shifër shumë më e madhe, sesa ato zyrtare që tregojnë se aktualisht janë të konfirmuar 4.947.

Sipas tij, prilli është “afati i fundit” për të moshuarit dhe grupet e rrezikuara, që patjetër duhet të qëndrojnë të mbyllur nëpër shtëpi dhe të respektojnë distancën sociale.

“Nëse gjatë prillit dilni jashtë, ndoshta një nga 10 personat do të jetë i infektuar. Kjo do të thotë se duhet të takoni vetëm 10 persona që përqindja e rrezikut për t’u infektuar të jetë relativisht e madhe. Nëse të njëjtën gjë e bëni në fund të majit apo në qershor, nuk do ta keni të njëjtën përqindje të rrezikut”, ka shtuar Britton.

Jan Albert, profesor për kontrollin e sëmundjeve ngjitëse në Institutin Karolina, ka deklaruar se mungojnë të dhëna konkrete, pasi që deri më tani në këtë vend janë bërë shumë pak teste, por projeksionin e Brittonit e ka quajtur “të pakuptimtë”. Albert gjithashtu nuk e di nëse piku i krizës së pandemisë së coronavirusit do të arrihet në prill.

“Aktualisht shumica e njerëzve po presin që të ndodh piku i krizës së infeksionit. Por shtrohet pyetja a do të jetë ky piku i krizës apo pritet të ndodh më vonë, këtë nuk e dimë”, shtoi Albert.

Në luftën kundër pandemisë së coronavirusit, Suedia ka dalluar shumë nga vendet e tjera evropiane sa i përket masave preventive siç është vetëizolimi apo kufizimi i lëvizjes së qytetarëve, duke preferuar që këtë gjë ta bëjnë në mënyrë vullnetare sipas “modelit suedez”.

Përveç kufizimit që ndalon të mblidhen në një hapësirë të caktuar mbi 50 persona, Suedia po vazhdon të funksionojë sikur para pandemisë së COVID-19, ku të gjitha shkollat vazhdojnë të jenë të hapura.

Krahasuar me numrin e të prekurve në vendet fqinje, Suedia nuk dallon edh aq, pasi deri më tani janë konfirmuar 239 vdekje, shumica prej të cilëve ishin të moshës nga 80 deri në 90-vjeq. Megjithatë është një shifër 10 herë më e madhe krahasuar me fqinjin e saj – Finlandën.

Rajoni i Stokholmit konsiderohet si më i rrezikuarit në Suedi, e sipas epidemiologut Anderas Tegnel, përqindja e të infektuarve ka filluar të rritet ditëve të fundit.