Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, është shprehur i brengosur për përhapjen e koronavirusit në komunat me shumicë serbe në Kosovë.

Në një bisedë telefonike me shefin e misionit të OKB-së në Kosovë, Zahir Tanin, sipas një komunikate të Presidencës së Serbisë, thuhet se Vuçiq është i gatshëm të ndihmojë serbët, ndërkohë ka shprehur gatishmërinë edhe të bashkëpunojë me institucionet në Kosovë, siç i ka quajtur ai “të përkohshme”, për të tejkaluar këtë gjendje me Covid-19.

“Presidenti Vuçiq ka thënë se është i shqetësuar me përhapjen e infeksionit në Kosovë. Ai ka shprehur gatishmërinë të ndihmojë komunitetit serb në Kosovë, por edhe të bashkëpunojë me shqiptarët në kuadër të ndalimit të përhapjes së Covid-19”, thuhet në komunikatën e Presidencës së Serbisë të hënën.