Klajdi Qato, 25 vjeç ka përjetuar orë të tmerrshme nën rrënoja. Ai për më shumë se 16 orë ka qëndruar duke pasur mbi supet e tij një mal me inerte, që ishin shkaktuar nga shembja e hotelit në bregdetin e Durrësit.

Klajdi ka qenë në koshiencë të plotë. Madje, autoritetet e ushtrisë dhe policisë kanë tentuar maksimalisht për ta shpëtuar, por ka qenë thuajse e pamundur.

Rreth mesditës, një skuadër e emergjencave greke me mjete të posaçme për kërkimin nën rrënoja bëri të mundur që të shpëtojë Klajdin, me të cilin ka komunikuar gjatë gjithë kohës.

Mjeku Grej Malo, i kontaktuar në telefon nga Gazeta Shqip thotë se e ka mbajtur nën kontroll situatën, duke komunikuar gjatë gjithë kohës me personin nën rrënoja, duke i dhënë kurajo, por edhe ushqim përmes një hapësirë mes betonit që ishte mbi trupin e tij.

Klajdi, për më shumë se një orë ka komunikuar me mjekun, që bënte njëkohësisht edhe përkthyesin e trupave greke, deri në momentin që operacioni i kërkim shpëtimit përfundoi me sukses.

Gjendja shëndetësore e Klajdit është e rënduar, por me parametra jetësorë të pranueshëm, falë edhe fizikut të tij.

Operacioni për shpëtimin e Klajdit është ndjekur live edhe nga Presidenti Ilir Meta. ”Është një fatkeqësi që kërkon angazhim të palodhur sepse ka njerëz nën rrënoja të cilët kërkojnë ndihmë, siç është rasti këtu, ku po bëhen përpjekje të jashtëzakonshme. Është një punë që nuk po bëhet vetëm këtu, por edhe në Kënetë, Thumanë dhe do të vazhdojë edhe në orët në vazhdim” – tha Meta.

Gepostet von T7 am Dienstag, 26. November 2019