Policia e Kosovës është duke vazhduar planin operacional për të gjithë ata të cilët në komunikacionin rrugor nuk janë duke e respektuar dritën e kuqe në semaforë, vijën e plotë si dhe për këmbësorët të cilët nuk kalojnë në vijat e bardha (zebra). Deri më sot janë shqiptuar afër 150 gjoba për mosrespektim të dritës së kuqe si dhe mbi 250 gjoba për mosrespektim të vijës së plotë dhe tejkalim të kolonës.

Kështu tha në një prononcim për Telegrafin, komandanti i trafikut rajonal për regjion të Prishtinës, Milaim Fejzullahu.

Komandanti i trafikut rajonal për regjion të Prishtinës, major Milaim Fejzullahu /Foto: Ridvan Slivova

“Është java e tretë që po implementohet operacioni policorë ‘siguria në trafik’. Në kuadër të këtij plani parashihen kundërvajtjet për mosrespektim të dritës së kuqe, e që në fakt deri më tani janë shqiptuar diku mbi 150 gjoba. Vetëm për tejkalim të kolonës dhe mosrespektimi i vijës së plotë janë shqiptuar mbi 250 gjoba. Shihet një punë jashtëzakonisht e mirë e zyrtarëve policorë në mënyrë që me këto masa të ju ofrojmë siguri të gjithë qytetarëve në parandalim të aksidenteve”, ka thënë ai.

Sipas tij, ky aksion do të vazhdojë edhe në dy muajt e ardhshëm me qëllimin e vetëm për t’ju ofruar siguri qytetarëve në trafik.

“Ky aksion do të vazhdojë, por në kuadër të këtij plani nuk është vetëm njësia e trafikut por janë të përfshira dhe institucionet e rendit. Ky aksion do të vazhdojë dhe në dy mujorin e ardhshëm…Bashkatdhetarët veçse kanë filluar të vijnë në Kosovë dhe me angazhimet tona do ju ofrojmë siguri të gjithë qytetarëve…”, tha ndër të tjera Fejzullahu.

Ai gjithashtu tregoi se për 24 orë në të gjitha zonat në rajonin e Prishtinës njësia e trafikut rajonal do t’i mbulojë të gjitha kyçjet dhe rrjedhjen e trafikut.

Komandanti Fejzullahu po ashtu theksoi se në bashkëpunim me njësitet e specializuara kanë futur në funksion edhe dronin.

“Po është duke u përdor droni, jemi në bashkëpunim me njësitet e specializuara. Kemi hartuar nga sot një plan të veçantë që nga sot do të përdoret droni gjatë ditës, në kohën kur ne mendojmë që do jetë momenti i duhur i pikut”, tha tutje ai.

E sa i përket aksidenteve të shkaktuara si dhe gjobave të shqiptuara në vitin 2019 në krahasim me vitin 2021 (pasi viti 2020 ishte vit i izolimit të qytetarëve për shkak të pandemisë COVID-19), Fejzullahu tha se në këtë vit ka rritje të aksidenteve fatale si dhe shqiptim të gjobave.

“Statistikat nuk po i llogarisim në vitin 2020 pasi qarkullimi ka qenë i kufizuar për shkak të pandemisë, por nga viti 2019 me sot kemi ngritje diku 10 për qind të aksidenteve me pasoja fatale por jo dhe të tjerat, por në të njëjtën kohë kemi dhe ngritje të gjobave në krahasim me vitin 2019, për 17-20 për qind”, tha ndër të tjera komandanti i trafikut rajonal për regjion të Prishtinës, major Milaim Fejzullahu.