Policia shqiptare, italiane dhe malaleze kapin gjysmë ton hashash

Policia shqiptare, italiane dhe malaleze kapin gjysmë ton hashash

Policia italiane ka sekuestruar gjysmë toni hashash që kërkonte të hynte në brigjet e vendit fqinj përmes një skafi që ka mundur t’i shpëtojë ndjekjes. Operacioni për kapjen e drogës ka qenë i përbashkët mes policisë shqiptare, italiane dhe asaj malazeze.

Policia e Shtetit, në një deklaratë për shtyp bëri të ditur se në operacionin e kapjes së lëndës narkotike u përfshinë 8 mjete të Policisë Kufitare.

Do të kishte sjellë mbi 5 milionë euro fitim për trafikantët marijuana e kapur nga njësia aerodetare e Barit në bashkëpunim me grupin e specializuar të Tarantos. Operacioni nisi pas zbulimit rreth 100 kilometra larg brigjeve italianë të një gomoneje të fuqishme 10 metra të gjatë, që po udhëtonte me shpejtësi të madhe.

Të ndjekur për disa orë nga motovedetat e Guardia di Finanza, drejtuesit e gomones, me manovra edhe të rrezikshme, janë kthyer drejt brigjeve mes Shqipërisë e Malit të Zi.

Pamundësia për t’i ndjekur në ujërat kombëtare detyroi forcat italiane që ta ndërprisnin ndjekjen. Sipas burimeve zyrtare, janë lajmëruar autoritetet shqiptare dhe malazeze që kanë filluar kërkimin e mjetit lundrues.

Për t’u çliruar nga pesha dhe për të rritur shpejtësinë gjatë ndjekjes, drejtuesit e gomones kanë hedhur në det gjashtë kuintalë marijuanë. Ajo ishte e paketuar më së miri në dhjetëra qese plastike për ta ruajtur nga uji dhe u sekuestrua nga patrullat italiane.