Sot rreth orës 02:30, policia ka marrë informacionin për një rast vjedhje në progres, në një lokal, në rrugën e Pejës në Fushë Kosovë.

Me të marrë informacionin, policia ka dalë në vendin e ngjarjes dhe në flagrancë ka hasur dy persona të dyshuar, të cilët ishin futur në lokal dhe po kryenin një vjedhje. Personat e dyshuar në përpjekje për t’ju shmangur arrestit, kanë filluar të sulmojnë zyrtarët policor me mjete të rrezikshme (sopat dhe çekan).

“Duke marrë në konsideratë faktin se veprimet e të dyshuarve përbënin një kërcënim të drejtpërdrejtë, të rrezikshëm për jetën e tyre, edhe pse fillimisht zyrtarët policor kanë përdorur taktika dhe metoda për t’ju shmangur rrezikut, njëri nga zyrtarët policor është detyruar që në vetëmbrojtje, të përdor armën zyrtare, me qëllim të neutralizimit të veprimeve të tilla të rrezikshme të të dyshuarve, si dhe për t’i vënë të njëjtit nën kontroll”, thuhet në komunikatën e PK-së.

Në këtë rast lëndime trupore nga arma e zjarrit ka marrë i dyshuari:  A. M, mashkull, 25 vjeç, shtetas i Republikës së Kosovës, i cili është duke u trajtuar në QKUK.