Aksione të shumta ka zhvilluar Policia e Podujevës për monitorimin e respektimit të masave anti-covid, që ishin në fuqi deri sot, raporton Llapi.info.

Brenda një jave, gjobat që kanë shqiptuar zyrtarët policorë ndaj qytetarët që s’u kanë përmbajtur masave ka shkuar deri në mbi 100 brenda javës. Komandanti i Stacionit Policor në Podujevë, Isak Ejupi, në mbledhjen e KKSB-së ka thënë se deri më tani janë shqiptuar mbi 2 mijë gjoba.

“Në kuadër të angazhimeve për respektimin e masave anti-covid deri më tani janë shqiptuar 2,264 gjoba, që kanë të bëjnë me mosrespektim të masave kufizuese dhe orarit të lëvizjes”, është shprehur Ejupi.

Ejupi ka folur edhe për gjendjen e sigurisë në Komunën e Podujevës, duke shtuar se gjendja e përgjithshme e sigurisë, sipas tij, është e mirë dhe stabile. Ndërsa, si shqetësuese përmendi faktin se kemi rritje të numrit të veprave penale, veçmas rasteve të dhunës në familje.

Gjendjen e sigurisë në Komunën e Podujevës e vlerësuan të qetë dhe stabile edhe përfaqësuesit e KFOR-it dhe FSK-së.

Në po këtë mbledhje, lidhur me gjendjen me pandeminë Covid-19 raportoi drejtori i Shëndetësisë, Driton Veliu, i cili tha se deri tani në Komunën e Podujevës kemi 4, 515 të infektuar me Covid-19, prej tyre 4, 438 janë shëruar, 16 janë raste aktive, ndërsa 61 kanë humbur jetën.

Ai tha se situata po shkon drejt përmirësimit, ndersa komuna po vazhdon me planin e vaksinimit, ku deri tani janë vaksinuar mbi 2, 200 persona të moshës mbi 65 vjeçare. Ndërsa, janë bërë përgatitjet e nevojshme për fillimin e vaksinimit masiv, i cili pritet të fillojë javën e ardhshme, ndërsa qendër e vaksinimit është caktuar salla e sporteve e shkollës “Xheladin Rekaliu”./Llapi.info