Policia e Kosovës ka konfirmuar arrestimin e Adonis Gashit, i cili ka qenë i dënuar me burgim nga ana e Gjykatës për rastin e vrasjes së rreshterit Shemsi Gashi, dhe dëshmitarë në rastin e Astrit Deharit.

Në pjesën e parë të ditës së sotme, Policia e Kosovës ka njoftuar se janë kapur tre persona të cilët ishin na arrati dhe të cilët ishin shpallur në kërkim me vendim të Gjykatës.

“Vetëm në pjesën e parë të ditës së sotme janë arrestuar të dyshuarit; A. G, mashkull, 26 vjeç, shtetas i Republikës së Kosovës, i dënuar me burgim nga ana e gjykatës, E. K, mashkull, 28 vjeç, shtetas i Republikës së Kosovës, i dyshuar si i implikuar në një numër të konsiderueshëm të veprave kriminale, kryesisht vjedhje, H. S, mashkull, 28 vjeç, shtetas i Republikës së Kosovës, i dyshuar si i implikuar në vepra kriminale, i kërkuar me urdhër arrest”, konfirmoi zëdhënësi i Policisë së Kosovës për rajonin e Prishtinës, Agron Borovci.

Ai shtoi po ashtu se “Strukturat e Drejtorisë Rajonale të Policisë në Prishtinë, në kuadër të veprimtarisë së tyre për përmbushjen e misionit për garantimin e rendit dhe të sigurisë publike, do të jenë vazhdimisht të angazhuara për parandalimin dhe goditjen e veprimtarive kriminale si dhe vënien para drejtësisë së personave të implikuar në aktivitetet kriminale”.

Ndryshe, Gashi më shumë se një vit më parë nuk ishte paraqitur në stacionin policor në Prizren për të dhënë dëshminë e tij lidhur me vdekjen e Deharit.