Policia e Kosovës ka dhënë detaje në lidhje me vrasjen në tentativë që ka ndodhur të mërkurën pasdite në fshatin Bardhosh të Prishtinës, ku dy persona u plagosën.

Sipas Policisë, raportohet se të dyshuarit, nga një veturë në lëvizje lloji i të cilit ende nuk dihet, kanë shtënë me armë zjarri në drejtim të viktimave, një burrë dhe një grua.

Si pasojë e të shtënave të dy viktimat kanë pësuar lëndime (janë plagosur) dhe janë dërguar në QKUK për trajtim mjekësor. Sipas mjekut përgjegjës viktimat janë jashtë rrezikut për jetë por trajtimin e vazhdojnë në QKUK, njofton tutje PK.

Tutje në raportin policor theksohet se në vendin e ngjarjes kanë dal njësitë relevante policore, ku kanë gjetur dhe konfiskuar pesë gëzhoja dhe një predhë të kalibrit të panjohur.

“Në koordinim me prokurorin e shtetin janë realizuar dy bastisje, ku është arrestuar një i dyshuar tek i cili është gjetur dhe sekuestruar një revole. Me vendim të prokurorit i dyshuari është dërguar në mbajtje.  Rasti vazhdon të hetohet”, thuhet në raport.