Shumë njerëz u lënduan shtunën ndërsa policia izraelite gjuajti me ujë dhe plumba gome për të shpërndarë protestuesit palestinezë në Jerusalemin lindor të aneksuar, një ditë pas përplasjeve të ashpra në xhaminë Al-Aqsa të qytetit.

Sipas mediave të huaja, përcjell Telegrafi, dhuna e re, një ditë pasi më shumë se 200 njerëz u plagosën në xhami, nxiti thirrjet ndërkombëtare për t’i dhënë fund dhunës.

Policia tha se ata shpërndanë tubimin në lagjen Sheikh Jarrah ku demonstruesit kishin hedhur gurë ndaj forcave të sigurisë.

Zyrtarët thanë të dielën se një raketë ishte shkrepur nga Rripi i Gazës, me Forcat e Mbrojtjes të Izraelit që u përgjigjën duke qëlluar një “shënjestër ushtarake” në jug. Më parë, oficerët kishin qëlluar me gaz lotësjellës drejt protestuesve në kufi.

Në Jerusalem, policia tha se bëri tri arrestime për sulme ndaj oficerëve, ndërsa palestinezët raportuan 13 arrestime të tjera më parë gjatë ditës.

Ndërkohë Gjysmëhëna e Kuqe Palestineze njoftoi se 90 vetë u plagosën në përleshjet e së shtunës në Jerusalem, duke azhurnuar vlerësimin e tyre të mëparshëm prej 53.

Ndryshe, të premten, policia e trazirave sulmoi kompleksin e xhamisë Al-Aqsa, pasi ata thanë se palestinezët hodhën gurë dhe fishekzjarre në drejtim të oficerëve.

Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu mbrojti veprimet e policisë.

“Izraeli po vepron me përgjegjësi për të siguruar respektimin e ligjit dhe rendit në Jerusalem ndërsa lejon lirinë e adhurimit”, citohet të ketë thënë ai në një takim të zyrtarëve të sigurisë.

Dhuna ishte më e rënda në vite në Al-Aqsa, vendi i tretë më i shenjtë i Islamit pas Mekës dhe Medinës, i vendosur në vendin që hebrenjtë e nderojnë si Mali i Tempullit.