Policia e Kosovës po vazhdojnë të kryejnë operacione të rrezikshme pa sigurime shëndetësore edhe këtë vit.

Nënkryetari i Sindikatës së Policisë së Kosovës, Shaban Tasholli në një prononcim për portalin Arbresh.info ka thënë se kanë bërë kërkesa në lidhje me gjendjen, megjithëse ende nuk kanë marrë ndonjë përgjigje konkrete.

“Si çdo qytetar i Kosovës ashtu edhe pjesëtarët e Policisë së Kosovës nuk kanë sigurim shëndetësor. Kemi bërë kërkesa në qeveri për sigurime shëndetësore, por ende nuk ka diçka konkrete. Nga takimi i fundit që ka qenë me Ministrin e Financave ai ka deklaruar se janë në shqyrtim, edhe ka dhënë edhe një propozim për sigurimin aksidental dhe jetësor por ende nuk e kemi asnjërën. Premtimet janë por ne vazhdojmë të mos kemi sigurim shëndetësor ende. Në këto gjëra flitet me vjet e nuk pres as në vitin 2018 të ketë diçka konkrete.”, është shprehur Tasholli.

Portali Arbresh.info u ka dërguar pyetje Ministrisë së Financave dhe MPB-së, por këto të dyja kanë njoftuar se nuk është kompetencë e tyre.

Ditë më parë edhe Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Shpend Maxhuni është shprehur i shqetësuar për policët kosovarë duke thënë se edhe ata ndajnë fatin me të gjithë qytetarët e tjerë të Kosovës sa u përket sigurimeve shëndetësore.

Maxhuni ka thënë se policët e Kosovës nuk gëzojnë sigurime shëndetësore dhe kjo sipas tij është e vështirë duke pasur parasysh problemet e mëdha në të cilat hasin zyrtarët policorë.

“Neve na mungon sigurimi shëndetësor për pjesëtarët e kësaj organizate, ndajmë fatin e tërë popullit të Kosovës. E dimë që është duke u punuar që ky Ligj në afat sa më optimal të hyjë në fuqi dhe besoj që me hyrjen në fuqi edhe Policia e Kosovës do ta gëzoj atë”, është shprehur Maxhuni.

Ligji për sigurime shëndetësore edhe pse nuk veçon grupe të shoqërisë për t’u pajisur me sigurime shëndetësore, ende nuk po gjen zbatim.