Ndonëse viti i ri shkollor 2017/ 2018 filloi normalisht, problemet filluan tek një muaj më pas. Gjetja e më shumë se 8 armëve të ftohta dhe substancave narkotike nga Policia e Kosovës në shkollat e Podujevës ditë më parë, ishte një tregues se siguria në këto shkolla nuk është aq e madhe, shkruan Llapi.info.

Për këtë zëdhënësja e stacionit policor në Podujevë, Antigona Çitaku ka thënë se rasti i gjetjes së armëve të ftohta dhe substancave narkotike u është trajtuar dhe referuar edhe njësive tjera përkatëse të Policisë së Kosovës. Kurse në një përgjigje elektronike dhënë për Llapi.info, komuna e Podujevës ka thënë se “nuk janë gjetur dhe konfiskuar brenda oborrit, apo objektit shkollor, me këto raste është duke u marrë policia. Nuk kemi informata se janë konfiskuar substanca narkotike.”

Se policia ka filluar masat e sajë për shtimin e sigurisë në afërsi të shkollave, ka thënë edhe Çitaku e cila tha se “Policia e Kosovës/Stacioni Policor i Podujevës ka në implementim e sipër Planin Operacional “Siguria në Shkolla ” që vepron me polic në rroba civile.”

Sipas saj “nga data 02.10.2017 ka filluar së implementuari Plani në nivel Regjional “Stop Drogave në Shkolla” që është duke u implementuar edhe nga St. Podujevë me numër të shtuar të Policëve në implementim.”

Çitaku ka folur për Llapi.info edhe për vendosjen e kamerave në afërsi të shkollave. Mirëpo, sipas saj vendosja e tyre në afërsi të shkollave nuk është në kompetencë të policisë.

“Projektet për vendosje të kamerave në hapësira publike kërkojnë përputhje me legjislacion, poashtu vendosja e kamerave vëzhguese për shkolla nuk është kompetencë e Policisë,por Ministrise, K.Komual dhe Drejtorisë së Arsimit”, tha ajo.

Ani pse një gjë e tillë u tha nga Çitaku, në përgjigjen e komunës është thënë se realizimi i projektit për vendosjen e kamerave është kompetencë e Policisë së Kosovës.

“Vendosja e kamerave në qytet është projekt i iniciuar në Këshillin Komunal për Siguri në Bashkësi nga Policia e Kosovës, të cilin Komuna do ta mbështes. Gjatë realizimit të projektit të projektit të kamerave do t’i kushtohet rëndësi vendosjes së tyre në pika më të ndjeshme, pra edhe në afërsi institucioneve arsimore. Realizmi i projektit është kompetencë e Policisë së Kosovës”, thuhet në përgjigje.

Kurse për vendosjen e kamerave në brendësi të objekteve shkollore, komuna ka thënë se vendosja e tyre në shkollën SHMT “Fan S. Noli” është në procedurë e sipër

“Kamerat e sigurisë janë të vendosura në SHME “Isa Boletini” dhe në objektin e ish gjimnazit, tash SHFMU “Enver Maloku”. Në procedurë është edhe vendosja e kamerave në SHMT “Fan S.Noli”. Ndërsa, në bashkëpunim me policinë është duke u mbajtur fushatë vetëdijësuese në të tri shkollat e mesme, për parandalimin e dukurive negative në shkolla (siç është edhe bartja e armëve të ftohta, rreziku nga substancat narkotike …)”, ka përfunduar përgjigjja e komunës.

Llapi.info edhe pse ka provuar të marrë një përgjigje se çfarë masash do merren për ata nxënës të cilëve iu gjenden armë të ftohta apo substanca narkotike, nuk ka marrë ndonjë përgjigje.

Sipas policisë, në shkolla vazhdimisht janë duke u mbajtur ligjërata rreth sigurisë. Sipas tyre javët e kaluara janë mbajtur ligjërata rreth sigurisë ne komunikacion si dhe ligjërata rreth rreziqeve nga përdorimi i drogave, si dhe çështjeve tjera./Llapi.info