Policia e Kosovës me qëllim të parandalimit të aksidenteve në komunikacion e sidomos atyre me fatalitet është duke realizuar një numër të aktiviteteve, duke ngritur pika kontrolli me radar dhe duke e mbikëqyrë rrjedhën e komunikacionit përmes paisjeve elektronike me “Dronë”.

Ky aktivitet tani po ndihmohet në masë të madhe edhe nga qytetarët të cilët po dërgojne fotografi përmes aplikacionit “Lajmëro policinë”, dhe duke i postuar në rrjetet sociale.

“Policia rajonale ne Prizren falenderon qytetarët të cilët po kontribojnë në parandalimin dhe raportimin e kundërvajtjeve të cilat shpesh po rezultojnë me aksidente fatale. Andaj së bashku mund te kontribojme në mbrojtje të jetës se qytetarëve dhe te ruajmë rregullin në komunikacion rrugor”, thuhet në komunikatën e tyre.

Policia po ashtu ia ka bashkangjitur komunikatës edhe një slogan, ku thuhet ‘Më mirë te vonohemi një minutë në jetë, se sa të humbim jetën për një minutë’.

Komunikatës i është bashkangjitur edhe një fotografi e dërguar nga qytetarët në aplikacionin dixhital “Lajmëro policinë”, ku nga kjo foto është shqiptuar një tiketë trafiku në vlerë 150 euro, si dhe janë marrë masat mbrojtëse 2 pikë negative dhe ndalimi i patent shoferit në afat prej 3 muaj.