Policia e Kosovës ka kërkuar që pjesëmarrësit në trafik të shtojnë kujdesin gjatë lëvizjes në rrugë, me rastin e nisjes së gjysmëvjetorit të dytë të vitit shkollor 2019/20 në shkollat fillore dhe të mesme në vend.

Thirrja në radhë të parë u është bërë shoferëve “që të kenë parasysh prezencën e nxënësve në rrugë veçanërisht në zonat afër objekteve shkollore, të jenë të kujdesshëm dhe të respektojnë rregullat dhe shenjat e trafikut në mënyrë që të rritet siguria për nxënës gjatë lëvizjes nga shtëpia në shkollë dhe anasjellas”.

Kujdes dhe vëmendje e shtuar është kërkuar edhe nga nxënësit dhe këmbësorët tjerë. Janë këshilluar që të mos ecin nëpër shirita qarkullues por në trotuare, ndërsa për kalimin e rrugës të shfrytëzojnë vendkalimet e shënuara për këmbësorë.

“Në ato pjesë të rrugës ku nuk ka trotuare, këmbësori duhet lëvizë pran skajit të rrugës në anën e majtë të drejtimit të lëvizjes, të mos bartin kufje në vesh dhe të jenë të kujdesshëm gjatë ecjes. Duke pas parasysh se ndodhemi në sezonin dimëror kur mbizotërojnë temperaturat e ulëta të cilat mund të përcjellën me reshje bore dhe ngrica në rrugë, rrjedhimisht këta faktorë kanë ndikim në shtimin e aksidenteve dhe vështirësive në qarkullim”, thuhet në reagimin e PK-së.

Në udhëzimin që ka bërë policia, prindërit udhëzohen të shoqërojnë fëmijët e vegjël nga shtëpia e deri në shkollë dhe anasjelltas si dhe të kenë kujdes që veshja e fëmijëve të jetë të përmbajë materiale reflektuese për t’u vërejtur më lehtë nga pjesëmarrësit tjerë në trafik.

“Në rast se transporti i nxënësve bëhet me automjete, të mos pengohet qarkullimi i trafikut me ndalje të parregullta në rrugë apo në hyrje-dalje të shkollave, por t’i shfrytëzojnë hapësirat e përshtatshme apo ndonjë vend parkim në afërsi të shkollës”, thuhet tutje në njoftim.

Policia ka thënë se do të ndërmarrë masa ligjore ndaj atyre të cilët bëjnë shkelje të ligjeve dhe rregullave të trafikut dhe me veprime të tilla i rrezikojnë pjesëmarrësit apo e pengojnë qarkullimin e trafikut.

Gjysmëvjetori i dytë i vitit shkollor 2019/20 nis të hënën e 13 janarit.