Në bazë të një urdhri ndërkombëtar nga ana e autoriteteve federale të Gjermanisë është arrestuar një burrë i cili sipas Prokurorisë Themelore në Gjilan, dyshohet se ka vrarë bashkëshorten e tij në Gjermani.

Gjithmonë sipas prokurorisë, ekziston dyshimi se i pandehuri, më 11 prill 2018, në qytetin Essen, në Gjermani në banesën e tij, e ka vrarë bashkëshorten e tij, tani të ndjerën J.R dhe pas kryerjes së kësaj vepre penale, është larguar nga vendi i ngjarjes duke marrë me vete edhe dy fëmijët e tij të mitur, njëri i moshës 10 vjeçare, ndërsa tjetri 15 vjeç.

“Gjithashtu, i njëjti pas arratisjes, ka lënë pas vajzën e tij të mitur, të cilës nga autoritetet gjermane, iu ka caktuar kujdestari ligjor”, thuhet në njoftimin e prokurorisë.

I dyshuari pas arratisjes nga organet e ndjekjes, i ka mbajtur të mbyllur fëmijët e tij, të cilët kanë shtetësi gjermane.

Sipas prokurorisë, me këtë rast ka paraqitur rrezik të madh për ta.

“Nga autoritetet gjermane të dyshuarit i është marrë e drejta prindërore, në bazë të Aktgjykimit të Gjykatës së Qarkut në Essen, të cilin aktgjykim e ka njohur Gjykata Themelore në Gjilan”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë Themelore në Gjilan.

Pas arrestimit të të dyshuarit, fëmijët, janë strehuar përkohësisht në Strehimoren për Mbrojtjen e Viktimave, në Gjilan.

Prokuroria Themelore në Gjilan, brenda afatit ligjor, do të paraqesë kërkesën për caktimin e masës së paraburgimit, në kohëzgjatje prej 40 ditësh, në Gjykatën kompetente në Gjilan.