Një deklaratë e Drejtorit të Policisë, Rashit Qalaj, se policët e Kosovës gjatë orarit të punës nuk duhet të vizitojnë kafenetë, e madje as objektet fetare si kishat dhe xhamitë, ka nxitur reagime të mëdha në opinion.
Bashkësia Islame ditë më parë këto deklarata i konsideroi si të papranueshme dhe si shkelje të të drejtave të njeriut, shkruan lajmi.net.

Mirëpo, për një urdhër të tillë, Qalaj siç duket e ka përkrahjen e sindikatës së Policisë.

Kryetarja e kësaj sindikate, Valbona Kamberi, ka thënë për lajmi.net se Qalaj është drejtor i Policisë, dhe si i tillë duhet të respektohet çdo urdhër i tij.

Ajo shtoi se policët duhet ta kenë të qartë që institucioni ku ata punojn është institucion i besueshmërisë, dhe se duhet të respektohet orari i punës.

“Unë do t’i thoja vetëm dy fjalë, ai është drejtor i Policisë dhe duhet të respektohet çdo urdhër dhe çdo vendim i tij. Policia është institucion i besueshmërisë, ju e dini që misionin fisnik e ka mbrojtjen e rendit dhe e qetësisë publike, ajo është pjesë e cila i takon personalisht çdo personi, mirëpo duhet ta kemi parasysh edhe respektimin e orarit të punës së plotë dhe urdhërat duhet të respektohen në çfarëdo lloj vendimi”, ka thënë ajo.

E në lidhje me reagimet e ndryshme të ardhura për deklratatën e Qalajt, Kamberi tha se ritualet fetare mund të përfundohen edhe në shtëpi e jo gjatë orarit të punës.

“Unë e kuptoj edhe unë jam fetare, mirëpo ritualet mund të përfundojnë në shtëpi, nuk i përfundoj gjatë orarit të punës. Kështu që ato urdhëra të drejtorit duhet t’i respektojë çdo polic i Kosovës”, përfundoi ajo.

Kujtojmë se Qalaj u emërua drejtor në Policinë e Kosovës duke zëvendësuar Shpend Maxhunin, i cili u transferua në krye të Agjencisë Kosovare të Intelegjencës.