12 pjesëtarë të Brigadës së Zjarrfikësve në Podujevë kanë nisur që tri ditë grevën dy-orëshe, me ç’rast edhe po kërkojnë shkarkimin e shefit të kësaj njësie, Milaim Ajvazi, raporton Llapi.info.

Sipas tyre, deri tek ky vendim ka ardhur si rezultat, pasi që siç kanë thënë ata, Ajvazi ka bërë shkelje ligjore brenda kësaj njësie.

Përkundër kësaj, ata po thonë se i njëjti është suspenduar përkohësisht nga puna, por prapë është rikthyer në pozitën e mëparshme.

Një punëtor i kësaj brigade, i cili ka emigruar jashtë vendit, dyshohet se është paguar për më shumë se tri vjet, ani pse i njëjti s’ka punuar fare. Pikërisht kjo ka bërë që këta zjarrfikës ta kundërshtojnë vendimin që Ajvazi të jetë sërish shef i kësaj njësie edhe pse i dënuar për këtë. Kështu ka thënë për Llapi.info përgjegjësi i këtyre grevistëve, Ibush Salihu.

“Është mbajtur dita e tretë e grevës dyorëshe. Fjala është se kemi pasur disa shkelje ligjore që i ka bërë shefi i kësaj njësie, Milaim Ajvazi. Për mbi një vit është mbajtur kjo procedurë, deri më tani kemi pasur disa takime me organet komunale ku edhe është formuar një Komision, i cili ka marrë vendim për suspendimin dymujor ndaj ti si masë disiplinore, por ai prapë është kthyer në pozitën ku ka qenë”, ka thënë Salihu.

Salihu ka thënë se Shefi i Shërbimit të Zjarrfikësve ishte dënuar dhe suspenduar për dy muaj, por që sërish është emëruar në të njëjtën pozitë. Sipas tij, shefi i njësisë së zjarrfikësve në këtë rajon ka bërë edhe shkelje të tjera të brendshme.

“Ai është dënuar, i është hequr masa, ka ndenjur dy muaj dhe është kthyer sërish si shef i njësisë. Shkeljet ligjore parashihen me ligji më së pakti largimi nga pozita për ato shkelje. Janë disa shkeljet serioze korruptive, një prej tyre është mospjesëmarrja në punë e një punëtori që për tri vite, i cili është paguar edhe pse ai ka dalë jashtë shtetit. Përveç kësaj, ka edhe shkelje tjera të brendshme. Ne jemi organizuar si zjarrfikës që kjo punë të mos të tolerohet. Ne s’jemi për me qit prej pune, por me ia ndërrua pozitën se është korrupsion i lartë”, ka thënë tutje ai.

Më tej, Salihu ka shtuar se greva do të vazhdojë edhe të hënën. Ai ka paralajmëruar se pavarësisht vendimit që pritet të merret, zjarrfikësit s’do të pranojnë të udhëhiqen nga Ajvazi.

“12 zjarrfikës nga 15 sa janë gjithsej janë në kundërshtim të tij, kurse tre të tjerë janë neutralë. Do të thotë jemi 90 për qind. Komisioni që është formuar herën e fundit është i Agjencionit të Menaxhimit të Emergjencave, ata e kanë bërë një vërejtje bajagi të rëndë për me u përmirësua, por njëkohësisht prapë e kanë lënë në pozitën e udhëheqësit. Kështu na e kemi refuzuar prej asaj dite kur e kemi ditë se çfarë dënimi ka marrë nga Agjencioni, kemi thënë se ne s’e respektojmë një njeri, i cili është i korruptuar me këto gjëra. Zjarrfikësit s’munden me pranua me u udhëheq nga ai. Andaj, ne kemi marrë këto greva”, ka thënë Salihu,

“Deri të hënën e presim një përgjigje se na kanë vizituar dy institucionet përkatëse, të cilët kanë thënë se janë duke e shqyrtuar vendimin. Mirëpo, ne s’e kemi pezulluar grevën, e cila është e qetë. Ne do t’i shqyrtojmë të gjitha vendimet me zjarrfikësit dhe nëse s’merren masa ne jemi të detyruar me sensibilizua çështjen”, ka thënë Ibush Salihu.

Mirëpo, në lidhje me këto akuza, Shefi i Shërbimit të Zjarrfikësve në Podujevë, Milaim Ajvazi, ka thënë se për punëtorin që ka munguar në punë, sipas tij, është zëvendësuar nga një koleg i tij. Ajvazi ka theksuar se janë organet e drejtësisë ato që vendosin për t’u kthyer në pozitën e punës.

“Ka qenë një afat ligjor prej 30-ditësh për t’u marrë një vendim, vendim që ka edhe të drejtë ankimi. Ajo se për çfarë kanë thënë ata ka qenë para një viti, u kanë për një rast një punëtor që ka munguar dhe që është zëvendësuar nga një koleg i tij. Është formuar edhe një Komision për këtë çështje, pra ka qenë një vit më herët për çka edhe keni shkruar edhe ju. Sektorët këtu janë të ndarë dhe secili ka përgjegjësi. Nuk munden zjarrfikësit me shkarkua komandantin e as komandanti me pranua ose me largua një zjarrfikës. Edhe për ato të tjerat janë organet e drejtësisë që vendosin për këto gjëra dhe duhet t’iu lihen atyre”, ka thënë Ajvazi për Llapi.info.

Në lidhje me këtë, portali ka provuar të marrë përgjigje edhe nga komunarët, por këta të fundit deri më tani s’kanë dhënë detaje tjera.

Llapi.info pati raportuar në lidhje me këtë çështje edhe vitin e kaluar. Në një seancë të Kuvendit Komunal, këshilltari i PDK-së, Rafet Llapashtica, pati akuzuar se tre vjet një punëtori në Brigadën e Zjarrfikësve në Podujevë, që pati emigruar në Gjermani, siç ka thënë Llapashtica, i pati ecur paga në xhirollogari pa punuar fare.

Llapashtica pati thënë se për këtë kanë qenë në dijeni edhe zyrtarë komunalë. Këta të fundit nuk e patën pohuar, por as mohuar këtë, gjersa kanë shtuar se kjo çështje ka qenë në procedurë ligjore./Llapi.info