Është vendosur gurthemeli për ndërtimin edhe të gjashtë shtëpive në Lagjen e Dëshmorëve në Balloc të Podujevës, raporton Llapi.info.

Në njoftimin e Komunës thuhet se në këtë ceremoni ka marrë pjesë kreu i Podujevës, Shpejtim Bulliqi dhe drejtori i Drejtorisë së Shëndetësisë, Driton Veliu.

“Kryetari i Komunës së Podujevës, Shpejtim Bulliqi, bashkë me drejtorin e Drejtorisë së Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, Driton Veliu, sot kanë vendosur solemnisht gurthemelin për ndërtimin e gjashtë shtëpive në Lagjen e Dëshmorëve në Balloc. Me rastin e fillimit të ndërtimit të gjashtë shtëpive të reja në Lagjen e Dëshmorëve, kryetari i Komunës së Podujevës, Shpejtim Bulliqi tha se ndjehet i lumtur që po vazhdon projekti i ndërtimit të shtëpive për familjet me gjendje të rëndë sociale, të cilat nuk e kanë të zgjidhur çështjen e banimit.Në kuadër të projektit i cili ishte përkrahur nga Ministria e Punës dhe Mirëqenie Sociale deri tash janë ndërtuar 106 shtëpi, kurse me këto 6 shtëpi, që po ndërtohen nga buxheti i Komunës, numri i përgjithshëm i shtëpive në këtë lagje arrin në 112”, thuhet në njoftim./Llapi.info