Vetëm 6 raste pozitive me COVID-19 janë regjistruar gjatë kësaj jave që po lëmë pas në Komunën e Podujevës, raporton Llapi.info.

Në 24 orët e fundit, sipas IKSHPK-së, një banor nga fshati Gllamnik i Komunës së Podujevës ka rezultuar pozitiv për virusin korona.

Lakorja e ulët e të infektuarve brenda ditës ka bërë që të ulët dukshëm edhe numri i rasteve aktive. Për dallim nga muaj më parë, kur rastet aktive ishin me qindra, tash në Podujevë aktivë janë vetëm 14 qytetarë.

Epidemiologia e Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare në këtë Komunë, Bedrie Rama, i ka thënë portalit Llapi.info se është zvogëluar numri i rasteve ditore dhe i atyre aktive, duke shtuar se është rritur numri i pacientëve që kanë mposhtur sëmundjen që shkakton koronavirusi.

“IKSHPK na ka njoftuar sot vetëm për një rast pozitiv me COVID-19 në rajonin e Podujevës. Aktualisht i kemi 14 raste aktive me po këtë virus”, është shprehur Rama.

Rama ka shtuar se edhe 35 qytetarë llapjanë janë në pritje të rezultateve nga Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik.

Epidemiologia Rama ka shtuar se është duke vazhduar procesi i vaksinimit kundër virusit korona në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare, derisa ka deklaruar se janë vaksinuar mbi 2 mijë qytetarë.

“Deri më sot janë vaksinuar 2200 persona me vaksina anti-covid, të gjithë të vaksinuarit kanë kaluar mirë”, është shprehur Rama.

Ndryshe, që nga fillimi i pandemisë, e deri më tani, numri i të infektuarve në Llap ka arritur në rreth 5 mijë. Deri tash janë raportuar 61 viktima, kurse rreth 4.441 pacientë janë shpallur të shëruar.

Në anën tjetër, Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike  njoftoi sot se janë shënuar edhe 23 raste të reja me sëmundjen, COVID-19. Rastet e reja me COVID-19 dalin pas testimit të 2.120 mostrave. Në 24 orët e fundit, sëmundjen COVID-19 e kanë mposhtur 130 pacientë.

Që prej 13 marsit, 2020, deri më 30 maj, 2021, Kosova ka regjistruar gjithsej 107.405 të tilla. Prej tyre, 2.243 pacientë kanë vdekur, kurse janë shëruar deri më sot 102.782 persona. Aktualisht janë edhe 2.380 raste aktive me COVID-19./Llapi.info