Vetëm edhe tetë raste aktive me virusin korona janë atktualisht në Komunën e Podujevës, ndërkohë që është rritur numri i të shëruarve, raporton Llapi.info.

Përgjatë kësaj jave që po lëmë pas, në këtë Komunë, pozitivë për COVID-19 kanë rezultuar vetëm pesë qytetarë llapjanë. Epidemiologia e Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare në këtë Komunë, Bedrie Rama, ka thënë për Llapi.info se tani numri i rasteve aktive me këtë virus është njëshifror.

“Gjatë kësaj jave i kemi pasur vetëm katër raste pozitive me COVID-19. Aktualisht janë edhe 8 raste aktive me po këtë virus”, është shprehur Rama.

Më tej, Rama ka shtuar se janë në pritje të rezultateve nga Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik edhe 50 qytetarë, derisa ka deklaruar se vaksinimi masiv në Podujevë pritet të nis të martën.

“Deri më sot janë vaksinuar 2.900 qytetarë. Për vaksinim masiv janë bërë të gjitha përgatitjet që të fillojë më 15.06.2021, mirëpo varet sa është mundësia të furnizohemi me vaksina nga IKSHPK. Vaksinimi deri tash ka shkuar gjithçka në rregull’, është shprehur Rama.

Në anën tjetër, ditë më parë, kryetari i Podujevës, Shpejtim Bulliqi, ka thënë se qendër për vaksinim masiv do të jetë një pjesë e shkollës fillore “Xheladin Rekaliu”.

 “Pas sigurimit të dozave të reja të vaksinave nga Ministria e Shëndetësisë, bashkë me drejtorin e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, Driton Veliu dhe stafin menaxherial të QKMF, vizituam vendin ku nga java e ardhshme pritet të fillojë vaksinimi masiv për qytetarët tanë. Ne pamë nga afër përgatitjet që janë bërë në sallën sportive të ShFMU “Xheladin Rekaliu” dhe nga aty pashë që është gjithçka gati për të filluar me vaksinim masiv të qytetarëve. Në këtë Qendër te Vaksinimit do të ketë 4 ekipe me dy ndërrime, gjithsej 8 ekipe, një ekip mesatarisht pritet të vaksinojë rreth 80 qytetarë. Brenda ditës pritet të vaksinohen rreth 700 qytetarë”, ka njoftuar kreu i Podujevës.

Ndryshe, që nga fillimi i pandemisë, e deri më tani, numri i të infektuarve në Llap ka arritur në rreth 5 mijë. Deri tash janë raportuar 61 viktima, kurse mbi 4.400 pacientë janë shpallur të shëruar.

Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike njoftoi sot se në nivel vendi janë shënuar edhe 7 raste të reja me sëmundjen, COVID-19. Rastet e reja me COVID-19 dalin pas testimit të 2.177 mostrave. Në 24 orët e fundit, sëmundjen COVID-19 e kanë mposhtur 103 pacientë.

Prej 13 marsit 2020, kur janë regjistruar rastet e para të infektimit, autoritetet shëndetësore në Kosovë kanë regjistruar 107,578 pacientë me këtë virus. Prej tyre 2,250 kanë vdekur, kurse janë shëruar deri më sot 104.894. Në total numri i rasteve aktive është 434./Llapi.info