Ka vazhduar të bie numri i rasteve të reja dhe i atyre aktive me virusin korona në Komunën e Podujevës, derisa gjatë së dielës janë konfirmuar pozitivë për koronavirus 14 persona, raporton Llapi.info.

Siç ka njoftuar Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik, 9 prej tyre janë në qytet dhe me nga një rast në fshatrat; Dumnicë e Epërme, Dumosh, Gllamnik, Llapashticë e Epërme dhe Sfeçël.

Si pasojë e rënies së rasteve të reja ditore është zvogëluar edhe numri i rasteve aktive me COVID-19 në Komunën e Podujevës. Kështu ka thënë për Llapi.info edhe epidemiologia e Qendrës Kryesore të Mjekësisë familjare në këtë Komunë, Bedrie Rama.

“Nga IKSHPK sot jemi lajmëruar edhe për 14 raste të reja me COVID-19 në Podujevë. Aktualisht i kemi 322 raste aktive me po këtë virus”, është shprehur Rama.

Epidemiologia Rama ka thënë se edhe 75 qytetarë llapjanë janë në pritje të rezultateve nga Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik.

Që nga fillimi i pandemisë, e deri më tani, numri i të infektuarve në Llap ka arritur në mbi 5 mijë. Deri tash janë raportuar 59 viktima, kurse rreth 4 mijë pacientë janë shpallur të shëruar.

Në anën tjetër, Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike  njoftoi sot se janë shënuar edhe 227 raste të reja me sëmundjen, COVID-19. Rastet e reja me COVID-19 dalin pas testimit të 3.010 mostrave.

Në 24 orët e fundit, sëmundjen COVID-19 e kanë mposhtur 615 pacientë.

Që prej 13 marsit, 2020, deri më 25 prill, 2021, Kosova ka regjistruar 104.042 raste me COVID-19, 2.129 viktima dhe 91.427 të shëruar. Raste aktive, sipas IKSHPK-së, vazhdojnë të jenë 10.486./Llapi.info