Dy persona janë dërguar në mbajtje dhe tri armë janë konfiskuar gjatë 24 orëve të fundit në Podujevë, raporton Policia e Rajonit të Podujevës.

Antigona Çitaku- Dibrani, Zyrtare për Informim në Policinë e Podujevës, ka njoftuar për llapi.info se gjatë 24 orëve të fundit në Podujevë janë shënuar tri raste të përdorimit të amrës, me ç’rast dy persona me urdhër të prokurorit janë dërguar në mbajtje për 48 orë dhe tri armë janë konfiskuar.

Sipas saj, një rast i armëmbajtjes pa leje ka ndodhur në fshatin Llapashticë e Poshtme të Podujevës, ku është raportuar për të shtëna me armë në aheng familjar, me ç’rast është konfiskuar arma.

Ndërkaq, dy armë janë konfiskuar dhe dy persona të dyshuar janë dërguar në mbajtje për 48 orë me urdhër të prokurorit për shkak të të shtënave me armë pa leje në ahengje familjare në fshatrat Halabak dhe Obranqë të Podujevës./llapi.info