Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik të Kosovës ka njoftuar sot vetëm për një rast pozitiv me COVID-19 në Komunën e Podujevës. Sipas IKSHPK-së, i njëjti është nga fshati Orllan. Mirëpo, për këtë të fundit, epidemiologia e Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare, Bedrie Rama është me banim jashtë kësaj komune, raporton Llapi.info.

Situata me virusin korona në Podujevë është duke u përmirësuar javëve të fundit, e që kjo situatë është vërejtur edhe në nivel vendi. Epidemiologia e QKMF-së, Bedrie Rama ka thënë se nga kjo komunë janë në pritje të rezultateve edhe 23 qytetarë, të cilët janë testuar sot.

“Deri më tani në Podujevë janë shëruar nga koronaviru 510 persona. Aktualisht janë 37 qytetarë aktivë me këtë virus, ndërkohë që 23 të tjerë janë në pritje të rezultateve nga IKSHPK-ja”, tha Rama për Llapi.info.

Që nga shpërthimi i pandemisë në Kosovë më 13 mars, në Podujevë pozitivë për koronavirus kanë rezultuar mbi 600 persona.

Rasti i parë ishte konfirmuar më 15 mars, derisa edhe viktima e parë në Kosovë, sipas IKSHPK-së, ka qenë nga po kjo komunë. Deri më tani janë raportuar për 19 viktima, ndërkohë janë testuar mbi 2.200 llapjanë.

Ndërkaq, Në Kosovë gjatë 24 orëve të fundit janë shënuar edhe 2 raste të vdekjes nga koronavirusi i ri, që e shkakton sëmundjen COVID-19.

Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike njoftoi të hënën se nga 596 testime, pozitivë në koronavirus kanë dalë 79 pacientë. Në njoftim thuhet se nga sëmundja janë shëruar edhe 104 persona ndërsa raste aktive janë 1.853.

Rastet e para me koronavirus në Kosovë janë paraqitur në muajin mars.

Deri më tani, numri i të infektuarve ka arritur në 15.142, prej të cilëve 12.674 janë shëruar, ndërsa 615 kanë vdekur./Llapi.info