Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik të Kosovës ka bërë të ditur sot për dy raste të reja pozitive me virusin korona në Podujevë, por që të dy të infektuarit s’banojnë në këtë komunë, raporton Llapi.info.

Epidemiologia e Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare, Bedrie Rama ka theksuar se njëri rast pozitiv është me banim në Fushë-Kosova, e tjetri në kryeqytet.

“Sot kanë qenë dy raste të reja, por janë me venbanim në Prishtinë dhe Fushë-Kosovë. Aktualisht në Podujevë i kemi edhe 56 raste aktive me Sars CoV-2”, thotë Rama.

Epidemiologia e vetme e QKMF-së ka deklaruar edhe për një rast të ri me fatalitet, i cili ka qenë i prekur me koronavirus, duke bërë kështu që numri i viktimave nga kjo komunë të arrijë në 19.

Rama ka thënë se në pritje të rezultateve për COVID-19 janë edhe 22 qytetarët, të cilët u janë nënshtruar testimeve.

Rasti i parë pozitiv me virusin korona në Podujevë ishte konfirmuar më 15 mars. Që nga atëherë, rreth 2.200 persona janë testuar, ndërkohë që gati 600 llapjanë kanë rezultuar pozitivë. Prej tyre, mbi 490 pacientë janë shpallur të shëruar.

Në anën tjetër, Kosovës të martën i janë​ shtuar  edhe 71 raste të​ reja me koronavirus, pas testimit të​ 608 mostrave të marra nga ShSKUK dhe gjurmimi i kontakteve të rasteve në terren.

Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik (IKSHPK) ka njoftuar se brenda 24 orëve është regjistruar një viktimë, duke e çuar numrin total të të vdekurve me koronavirus në Kosovë në 601.

Sipas të dhënave të këtij Instituti të martën janë regjistruar edhe 199 raste që kanë mposhtur virusin, derisa raste aktive aktualisht janë 2,378.

Prej 13 marsit, kur janë regjistruar rastet e para me koronavirus në Kosovë, autoritetet shëndetësore kanë raportuar për 14,763 të prekur nga sëmundja Covid-19, që shkakton koronavirusi./Llapi.info