Dhjetë raste të reja me virusin korona janë konfirmuar të dielën në Podujevë. Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik ka bërë të ditur për 12 raste, por që dy prej tyre kanë qenë ri-testime, raporton Llapi.info.

Shumica prej këtyre rasteve të reja janë nga qyteti i Podujevës, kurse nga një rast është konfirmuar në fshatin Gllamnik dhe Lupç.

Anëtarja e shtabit emergjent dhe epidemiologia e QKMF-së në Podujevë, Bedrie Rama, ka thënë për Llapi.info se nga ky rajon janë shëruar edhe pacientë. Sipas saj, në këtë komunë janë edhe 44 persona aktivë me COVID-19.

“Rastet e reja janë shumica nga qyteti, kurse dy prej tyre janë njëri nga fshati Gllamnik dhe tjetri nga fshati Lupç. Përveç rasteve të reja, dje janë shëruar nga COVID-19 edhe 10 qytetarë, që i bie se i kemi edhe 44 raste aktive me virusin korona në Podujevë. Nëntë pacientë i kemi në Klinikën Infektive, njërin e kemi dërguar para dy dite pasi i është përkeqësuar gjendja. Rezultatet e ditës së djeshme janë të mostrave që janë testuar më 9 korrik. Të shtunën janë bërë 23 testime këtu në QKMF”, ka thënë ajo.

Rasti i parë m COVID-19 në Komunën e Podujevës ishte regjistruar me 15 mars. Deri më tani në këtë komunë janë konfirmuar 94 raste pozitive me virusin korona.

Qeveria e Kosovës, të dielën ka paralajmëruar ashpërsimin e masave për të frenuar përhapjen e sëmundjes COVID-19.

Kryeministri i Kosovës Avdullah Hoti, të dielën në një konferencë për medie ka thënë se do te fillojë një zbatim shumë rigoroz i masave ekzistuese kundër përhapjes së koronavirusit.

“Ka një pajtueshmëri të ndërmarrjes së masave shtesë dhe rigorozitet të plotë në zbatimin e atyre masave dhe të përcjellim situatën në ditët dhe javët e ardhshme duke mos e përjashtuar fillimin e ndjekjes së procedurave kushtetuese për gjendje të jashtëzakonshme”, ka thënë Hoti.

Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik ka njoftuar se të dielën janë regjistruar edhe 216 raste të reja me koronavirus pas testimit të 493 mostrave.

Një pacient ka vdekur si pasojë e sëmundjes duke e çuar numrin e viktimave në 102. Numri i përgjithshëm i të infektuarve ka arritur në 4.931, kurse numri i rasteve aktive është 2.562./Llapi.info