Kryetari i Komunës së Podujevës, Agim Veliu, ka pritur sot në një takim përfaqësuesit e “Caritas Kosova” dhe të Ministrisë së Shëndetësisë, me të cilët bisedoi për fillimin e implementimit të projektit “Ngritja e përkujdesit shëndetësor shtëpiak dhe ambulantor (Home Care) në Komunën e Podujevës”, transmeton Llapi.info.

Gjatë takimit të kryetarit të Komunës së Podujevës, Agim Veliu, me Pal Baftiajn – përfaqësues i “Caritas Kosova” dhe Mirsad Kamerollin – këshilltar i Ministrit të Shëndetësisë është biseduar lidhur me hapat që do të ndërmerren për implementimin e marrëveshjes me qëllim të ngritjes së përkujdesit shëndetësor shtëpiak në Podujevë.

Kryetari Veliu dhe përfaqësuesit e Ministrisë së Shëndetësisë dhe “Caritas Kosova” u dakorduan që të fillojnë procedurat për implementimin e projektit Ngritja e përkujdesit shëndetësor shtëpiak dhe ambulantor (Home Care) në Komunën e Podujevës, në mënyrë që sa më parë të fillojë implementimi i këtij projekti me rëndësi për qytetarët.

Përveç ngritjes së përkujdesit shëndetësor shtëpiak dhe ambulantor, projekti ka për qëllim edhe ndihmën e QKMF-së në realizimin e vizitave për të gjithë pacientët që e marrin mjekimin në shtëpi, për të gjithë ata pacientë të cilët për arsye të ndryshme shëndetësore nuk kanë mundësi që t’i vizitojnë objektet e QKMF-së dhe qendrat e tjera mjekësore në terren.

Kryetari Veliu përveç e vlerësoi të rëndësishëm projektin për ofrimin e shërbimeve mjekësore për pacientët që nuk kanë mundësi të shkojnë në qendrat mjekësore.
“Krahas ofrimit të përkujdesit shëndetësor për pacientët, ky projekt do të mundësojë edhe punësimin e mbi 40 punëtorëve shëndetësorë”, tha kryetari Veliu,

Projekti do të zgjasë gjashtë muaj dhe është bashkëfinancim i Komunës së Podujevës, Ministrisë së Shëndetësisë, Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale dhe “Caritas Kosova”./Llapi.info