Shtabi Emergjent i Komunës së Podujevës për veprime dhe masa parandaluese e mbrojtëse nga Covid-19 ka mbajtur takim, të cilin e udhëhoqi nënkryetarja e Komunës, Marigona Lahu, e ku u shqyrtua gjendja aktuale me Covid- 19, numri i të infektuarëve, numri i të vaksinuarëve si dhe mundësitë e mbrojtjes dhe koordinimit mes akterëve të ndryshëm komunal, njofton Llapi.info.

Lidhur me situtatën dhe shifrat e fundit të të infektuarëve, prezantoi drejtori i Drejtorisë së Shëndetësisë, Driton Veliu, ku tha se vetëm për 7 ditët e fundit kemi 49 raste të reja me Covid.

Drejtori Veliu tha se varianti më i ri virusit Delta ka përhapje shumë më të shpejt sesa versioni original i virusit, ai tha që ky fakt ka bërë që edhe një numër i madh i qytetarëve në komunën tonë të vaksinohen. Sipas drejtorit Veliu deri tani janë të vaksinuar 19,148 persona të moshës mbi 18 vjet, që do të thotë rreth 21-22% e popullsisë në nivel të komunës së Podujevës. Veliu theksoi që Qendra për vaksinim po funksionon me katër ekipe dhe numri i të vaksinuarëve brenda ditës është 800-850 persona.

Lidhur me situatën e krijuar diskutuan edhe anëtarët tjerë të shtabit të cilët u dakorduan për koordinim të veprimeve të përbashkëta me qëllim të mbrojtjes së shëndetit të qytetarëve nga Covid-19. /Llapi.info