Vetëm katër raste pozitive me COVID-19 janë regjistruar gjatë kësaj jave që po lëmë pas në Komunën e Podujevës, raporton Llapi.info.

Në 24 orët e fundit, sipas IKSHPK-së, një banor nga qyteti i Podujevës ka rezultuar pozitiv për virusin korona.

Lakorja e ulët e të infektuarve brenda ditës ka bërë që të ulët dukshëm edhe numri i rasteve aktive. Për dallim nga muaj më parë, kur rastet aktive ishin me qindra, tash në Podujevë aktivë janë vetëm 14 qytetarë.

Epidemiologia e Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare në këtë Komunë, Bedrie Rama, i ka thënë portalit Llapi.info se është zvogëluar numri i rasteve ditore dhe i atyre aktive, duke shtuar se është rritur numri i pacientëve që kanë mposhtur sëmundjen që shkakton koronavirusi.

“IKSHPK na ka njoftuar sot vetëm për një rast pozitiv me COVID-19 në rajonin e Podujevës. Aktualisht i kemi vetëm edhe nëntë raste aktive me po këtë virus”, është shprehur Rama.

Epidemiologia Rama ka shtuar se është duke vazhduar procesi i vaksinimit kundër virusit korona në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare, derisa ka deklaruar se janë vaksinuar mbi 2 mijë e 500 qytetarë.

“Deri më sot janë vaksinuar rreth 2500 persona me vaksina anti-covid, të gjithë të vaksinuarit kanë kaluar mirë”, është shprehur Rama.

Ndryshe, që nga fillimi i pandemisë, e deri më tani, numri i të infektuarve në Llap ka arritur në rreth 5 mijë. Deri tash janë raportuar 61 viktima, kurse rreth 4.448 pacientë janë shpallur të shëruar.

Në anën tjetër, Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike  njoftoi sot se janë shënuar edhe 11 raste të reja me sëmundjen, COVID-19. Rastet e reja me COVID-19 dalin pas testimit të 2.074 mostrave. Në 24 orët e fundit, sëmundjen COVID-19 e kanë mposhtur 146 pacientë.

Prej 13 marsit 2020, kur janë regjistruar rastet e para të infektimit, autoritetet shëndetësore në Kosovë kanë regjistruar 107,497 pacientë me këtë virus. Prej tyre 2,245 kanë vdekur, kurse janë shëruar deri më sot 104.054. Në total numri i rasteve aktive është 1.198./Llapi.info