Një qytetar është gjobitur me 200 euro nga Policia e Podujevës, pasi i njëjti s’e ka përfillur orën policore që nis nga 22:00 deri në ora 05:00, raporton Llapi.info.

B.I., (emër i njohur i redaksisë), ka thënë për Llapi.info, ku edhe ka dërguar gjobën, se kur kishte dalë për të blerë bukë për syfyr, është gjobitur nga zyrtarët policorë rreth orës 01:00.  

“Jam dënuar me 200 euro nga Policia e Podujevës. Unë kam dalë me ble bukë për syfyr dhe rreth orës 01:00 jam dënuar. Edhe pse ju kam thënë se kam dalë për bukë, ata më kanë thënë se je dalë me lu “sony” dhe më kanë gjobitur afër një pompe të benzinës”, është shprehur ai për Llapi.info.

Në gjobën që ka siguruar Llapi.info, shihet se ajo është shqiptuar në rrugën “Xhemajl Mustafa”, teksa siç citohet në gjobë, personi i apostrofuar ka shkelur orën policore.

“Personi i lartcekur nuk respekton vendimin e organit kompetent mbi pandeminë. Nuk respekton kufizimin e lëvizjes 22:00 – 05:00”, thuhet përshkrimin e kundërvajtjes drejtuar qytetarit.

Duhet theksuar se po një rast i tillë ka ndodhur në Komunën e Vitisë, ku një person është gjobitur me 200 euro për thyerje të orës policore.

Ndërkohë, Policia e Kosovës në statistikat ditore ka bërë të ditur se vetëm dje në nivel vendi ka shqiptuar 915  tiketa në bazë të ligjit Covid – 19./Llapi.info