Organizata joqeveritare “Sundimi i Demokracisë në Kosovë”, ka publikuar listën e projekteve kapitale për vitin 2020 në Komunën e Podujevës, njofton Llapi.info.

Sipas kësaj liste, në këtë planifikim me buxhetin për vitin 2020 janë përfshirë 51 fshatra, kurse 27 janë lënë anash. Për këtë, kjo organizatë ka thënë se buxheti është ndarë jo i balancuar, pasi që siç thuhet në komunikatën e SDK-së, në disa fshatra janë planifikuar shumë projekte, e në disa të tjera as edhe një.

“Në bazë të planifikimit të buxhetit për Komunën e Podujevës, gjegjësisht për investimet kapitale për vitin 2020, vërehet një orientim jo i balancuar i investimeve kapitale. Nga gjithsej 78 vendbanime që posedon komuna e Podujevës, në Listën e Projekteve Kapitale për vitin 2020 janë të përfshira 51 fshatra, përfshirë edhe qytetin e Podujevës. Nëse shohim projektet e planifikuara për fshatra, vërejmë se për disa fshatra janë të planifikuara dy e më shumë projekte. Në 3 prej fshatrave janë të planifikuara nga 4 projekte; Në 10 prej fshatrave janë të planifikuara nga 3 projekte; Në 11 prej fshatrave janë të planifikuara nga 2 projekte; Në 26 fshatra janë të planifikuara vetëm nga 1 projekt, ndërsa kemi edhe 27 fshatra të cilat nuk janë fare të përfshira në Listën e Projekteve Kapitale për vitin 2020”, thuhet në komunikatë.

Sipas SDK-së, buxheti nuk është i ndarë në mënyrë të barabartë për të gjitha fshatrat/vendbanimet e kësaj komune./Llapi.info