Shfaqja “Shansa” e Teatrit Rumun “Anton Pan, në regji të Laszlo Vadas mbrëmë në natën e fundit të Festivalit “Teatri ndryshe” në Podujevë është kurorëzuar me çmimin “Mozaiku i Orfeut”, i cili ka qenë edhe çmimi kryesor i festivalit.

Agron Gërguri, u.d. i Drejtorit të Drejtorisë së Kulturës në komunën e Podujevës për Llapi.info ka treguar se në natën finale janë ndarë edhe çmime tjera, përveç atij kryesor.

“Çmimin për interpretimin inventiv femër e kanë fituar çifti nga shfaqja “Audicion”, Sindi Çitaku dhe Tringa Hasani si dhe Sheqerie Buçaj për shfaqjën “Hajria”. Ndërsa çmimin për rolin më inventiv mashkull e ka fituar Ismet Azemi. Çmimi për regjisori më inventiv në festival i është ndarë regjisorit Naser Shatrolli për shfaqjen karramel. Çmimi “Skena Ndryshe” e ka fituar teatri nga Kumanova për shfaqjen Bouncers, ndërsa çmimin”Avdush Hasani” e ka fituar Dhimiter Orgocka nga Teatri i Korçes” ka deklaruar Gërguri.

Juria ishte e përbërë nga Ahmet Jakupi, regjisor nga Shkupi, Hakif Mulliqi, dramaturg dhe profesor në Akademinë e Arteve në Prishtinë dhe Lutfi Lepaja, shkrimtar.

Çmimet janë ndarë në objektin e restaurantin “3 Engjujt Beni Dona” në Podujevë, ku edhe ishte bërë hapja solemne e edicionit të 7-të të festivalit “Teatri Ndryshe”.

Festivali “Teatri Ndryshe” ishte financuar nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit dhe nga Kuvendi Komunal i Podujevë, dhe ka zgjatur nga 25 deri më 30 korrik./Llapi.info