Komuna e Podujevës ka qenë njëra ndër komunat e para në Kosovë me persona të infektuar me virusin korona, por të gjithë pacientët e fundit të infektuar tashmë janë shëruar, shkruan Llapi.info.

Fillimisht me COVID-19 rezultoi një 62-vjeçar nga fshati Dumnicë e Epërme. Ai erdhi më 5 mars nga Italia, ndërsa pas 10 ditësh (më 15 mars) pas testimit doli pozitiv. Po ashtu, i njëjti është edhe pacienti i parë në Kosovë i shëruar nga COVID-19.

Rastet e fundit me këtë virus që rezultuan pozitivë ishin më 20 prill. Një gjinekolog u konfirmua pozitiv, më pastaj dy familjarë të tij dhe dy punëtorë shëndetësorë me të cilët kishte pasur kontakt. Që nga kjo datë, asnjë banor nga Podujeva s’është infektuar me virus, përkundër rasteve të dyshimta.  

Kurse, gabime dyshohet se janë bërë gjatë testimit më 27 mars të dy personave nga Komuna e Podujevës, që u raportua se ishin infektuar me COVID-19. Të njëjtit u janë ri-nënshtruar menjëherë testimeve, por që kanë rezultuar negativë. Bëhet fjalë për një 16-vjeçar nga Llapashtica e Poshtme dhe një 58-vjeçare nga kjo komunë.

Përjashtuar këto dy rastet e fundit, nga Komuna e Podujevës kanë qenë 9 pacientë të konfirmuar me koronavirus, 8 prej tyre tashmë janë shpallur të shëruar, ndërsa një i moshuar ka ndërruar jetë, i cili kishte edhe sëmundje tjera shoqëruese.

Përkundër lajmeve të mira, Komuna e Podujevës ka apeluar te qytetarët që t’i respektojnë masat e IKSHPK-së.

“Shqetësues u përmend fakti i mosrespektimit të rekomandimeve të IKSHP-së rreth pjesëmarrjes në ceremoni mortore, ku ditëve të fundit janë regjistruar raste të pranisë së një numri më të madh personash në ceremoni të varrimit. Prandaj edhe me këtë rast apelohet te qytetarët që ceremonitë mortore të organizohen vetëm në praninë e personave të rrethit të ngushtë familjar, si dhe mos të organizohen pritje për ngushëllime”, ka bërë të ditur Komuna e Podujevës përmes një njoftimi për medie.

Bazuar në të dhënat e fundit të IKSHPK-së, në Kosovë deri më tani janë regjistruar 1,025 raste me koronavirus. Prej tyre, 29 pacientë kanë vdekur, kurse 782 pacientë janë shëruar.  

Kujtojmë, nga e hëna ka nisur zbatimi i fazës së dytë të lehtësimit të masave për qytetarët dhe disa biznese. Hapja e kësaj faze erdhi pas fazës së parë ku sipas situatës epidemiologjike në Kosovë nuk pati rritje të madhe të numrit të rasteve të reja me koronavirus. Nga 1 qershori pritet të hapet edhe faza e tretë e lehtësimit të masave, e kjo varet krejtësisht nga situata epidemiologjike në vend./Llapi.info