Rrjeti i OJQ-ve, “Demokracia Fillon Këtu”, nëpërmjet një komunikate për medie ka reaguar pas mohimit të së drejtës për të pasur qasje në dokumentet publike, njofton Llapi.info.

Sipas DFK-së, në pozitën për infermier të shpallur nga Komuna e Podujevës, gjegjësisht nga Drejtoria e Shëndetësisë, konkursi ka kaluar me parregullsi të shumta. Ky rrjet i OJQ-ve ka potencuar se sikurse në çdo konkurs, edhe në këtë pozitë janë zgjedhur njerëzit e afërt me pushtetin.

“Sikur edhe konkurset tjera, edhe ky ka kaluar me shumë parregullsi dhe të zgjedhurit për këto pozita janë njerëz të afërt të pushtetit të LDK-së”, thuhet në reagimin e DFK-së.

E këtë konkurs akoma më të dyshimtë e bënë mos lejimi i qasjes në dokumente zyrtare.

“Duke dashur të jemi të saktë në vlerësimet tona ne si DFK, me datën 01 shtator 2020 iu kemi drejtuar me kërkesë me shkrim Komunës së Podujevës, për qasje në Dokumente publike për të na dhënë qasje në dokumentacionin e konkursit në mënyrë që të konfirmojmë raportimet për parregullsi. Edhe pse Ligji për qasje në dokumente publike” Neni 10 “ Kërkesa për qasje në dokumente publike  i obligon zyrtarët komunal të na sigurojnë qasje,  ne ende nuk kemi pranuar përgjigje  zyrtare nga ana e tyre”, thuhet në reagim.

Tutje është thënë se përveç kësaj, Komuna e Podujevës nuk jep detaje as edhe për një çështje tjetër.

Duhet përkujtuar se Llapi.info pati raportuar për konkursin e hapur nga Drejtoria e Shëndetësisë në Komunën e Podujevës më 29 qershor 2020: infermier e shofer për Shërbim të Emergjencës.

Por, i njëjti sot ishte anuluar. Sipas njoftimit të lëshuar nga Komuna, anulimi i tij është bërë për shkak se nuk janë identifikuar së paku tre kandidatë që i kanë plotësuar kushtet e parapara.

“Nuk janë identifikuar së paku 3 kandidatë të cilët i kanë plotësuar kushtet e parapara me konkurs, gjë që e pamundëson vazhdimin e procedurës. Rishpallja e Konkursit do të bëhet brenda afateve ligjore”, thuhet në njoftim.

Pikërisht për këtë pozitë dhe pozita tjera për infermierë po përcillen vazhdimisht me parregullsi të shumta, për çka edhe po kundërshtojnë aplikantët./Llapi.info