Kuvendi i Komunës së Podujevës ka mbajtur sot mbledhje të jashtëzakonshme, në të cilën është diskutuar për gjendjen në arsim në Komunën e Podujevës.Kuvendi i Komunës së Podujevës ka mbajtur mbledhje të jashtëzakonshme, të cilën e udhëhoqi kryesuesi Fatmir Gashi, e ku ishte i pranishëm edhe Kryetari i Komunës, Shpejtim Bulliqi dhe drejtorët e drejtorive të Komunës, njofton kumtesa komunale, transmeton Llapi.info.

Fillimisht iniciuesi i kësaj seance të jashtëzakonshme, këshilltari nga radhët e LDK-së, Adnan Zymeri, duke arsyetuar thirrjen e mbledhjes ka potencuar çështjen e ndarjes së bursave, duke thënë se nuk janë përfillur kriteret e përcaktuara për subvencionimin e nxënësve dhe studentëve me burse.

Ai ka bërë edhe vërejtje të tjera në lidhje me përzgjedhjen e drejtorëve të shkollave dhe punësimet në arsim. Lidhur me gjendjen në arsim diskutuan edhe këshilltarët e tjerë nga radhët e partive opozitare në Kuvend, Rafet Llapashtica – PDK, Hasan Ajeti – LDK, Pajtim Hodolli -PDK, të cilët gjithashtu bënë vërejtje për çështjen e bursave dhe menaxhimin në arsim.

Këshilltari Ragip Fetahu – LVV fajësoi qeverisjen e kaluar komunale për të gjitha problemet e grumbulluara në arsim tash e 20 vjet. Ndërsa, drejtori i Drejtorisë së Arsimit, Avni Fetahu, tha se iniciuesi i mbledhjes së jashtëzakonshme e ka bërë këtë për çështje politike, sepse ne kemi dhënë sqarimet, se duke pasur parasysh numrin aq të madh të nxënësve dhe studentëve aplikues, nuk do të mund të përfillim njëri nga kriteret, suksesin në mësim-studime, si kusht për ndarjen e bursave.

“Prandaj, kërkoj mirëkuptim nga nxënësit dhe studentët që kanë treguar sukses në mësime-studime, që nuk kemi mundur t’i përfshijmë në mesin e përfituesve të bursës”, tha drejtori Fetahu.Kryetari i Komunës, Shpejtim Bulliqi, i ka uruar këshilltarit Blerim Maqastena rikthimin si këshilltar në Kuvendin e Komunës, pas një mungese prej mbi 5 muaj, për shkak të mbajtjes në burg nga Serbia.

Ndërsa, duke iu referuar temës së ndarjes së bursave, Kryetari Bulliqi tha se e kanë pasur të pamundur të ndajnë bursa për të gjithë aplikuesit që i kanë plotësuar kriteret, për shkak të buxhetit të limituar për këtë kategori të subvencionimeve. “Në qoftë se do të mund të gjendet një linjë buxhetore ne pas një, ose dy muajsh do të shpallim konkurs për nxënësit dhe studentët e dalluar”, tha kryetari Bulliqi.

Me propozimin e këshilltarit Adnan Zymeri, Kuvendi me shumicë votash miratoi propozimin qe t’i rekomandohet Ekzekutivit të Komunës të gjejë mundësitë buxhetore që të gjithë nxënësve dhe studentëve aplikues në konkursin për bursë për vitin mësimor/akademik 2020/2021, të cilët i plotësojnë kushtet dhe kriteret t’iu ndahen bursat./Llapi.info