Edhe tri raste të reja me virusin korona janë konfirmuar të shtunën në Podujevë, pas pesë testimeve të bëra nga IKSHPK, raporton Llapi.info.

Të gjitha këto raste po dyshohet të jenë raste kontakti. Dy prej tyre janë nga qyteti dhe i treti nga fshati Llaushë.

Kështu ka thënë për Llapi.info epidemiologia e Qendrës Kryesore Familjare në Podujevë, Bedrie Rama. Rama ka thënë se dje janë konfirmuar tri raste dhe jo katër siç ka deklaruar IKSHPK. Siç mëson Llapi.info, një punëtor i Aeroportit ka dalë pozitiv, por i njëjti s’ka qenë në punë që një muaj.

“Tri raste janë konfirmuar të shtunën në Podujevë më COVID-19, nuk janë katër sepse është bërë gabim nga Instituti se njëri ka qenë në Lipjan. Janë raste kontakti. Dy janë nga Podujeva. Njëri është punëtor në Aeroport dhe rasti i tretë është një 80-vjeçar në fshatin Lluashë, ky i fundit është e mundur të jetë infektuar nëpër institucione shëndetësore. Pesë testime gjithsej kanë qenë nga kjo komunë”, ka thënë ajo.

“Dy sot janë shpallur të shëruar edhe pse ende për medie s’është bërë e ditur. Tani i kemi 23 raste aktive me COVID-19 në Podujevë. Në Klinikën Infektive i kemi gjashtë pacientë”, ka thënë Rama.

Anëtarja e Shtabit Emergjent ka thënë se nga java e ardhshme do të nisë testimi i të dyshuarve me COVID-19 në Podujevë.

Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës të shtunën ka regjistruar 178 raste të reja me koronavirus – njëherësh shifra më e lartë e infektimeve ditore, që prej paraqitjes së rasteve të para me këtë virus, në mars të këtij viti.

Ndërkaq, në 24 orët e fundit, 50 pacientë janë shëruar, duke e çuar në 1,874 numrin e përgjithshëm të të shëruarve.

Sipas të dhënave, që prej regjistrimit të rasteve të para me koronavirus më 13 mars, deri më 4 korrik, janë regjistruar 3,356 raste me COVID-19. Bazuar në të dhënat e fundit të Institutit, 66 persona deri më tani kanë ndërruar jetë. Ndërkaq, mëngjesin e sotëm është raportuar edhe për disa të vdekur të tjerë, gjersa edhe Policia e Kosovës ka rrethuar Klinikën Infektive./Llapi.info