Katër qytetarë nga Komuna e Podujevës janë testuar sot për virusin korona, tre prej tyre kanë rezultuar pozitivë, raporton Llapi.info.

Rastet pozitive janë raste krejtësisht të reja dhe s’i përkasin rasteve të kontakteve të familjeve të konfirmuara më parë me COVID-19 në këtë rajon.

Dy prej tyre janë nga qyteti i Podujevës, kurse i treti është nga fshati Gllamnik. Kështu ka thënë për Llapi.info edhe epidemiologia e QKMF-së, Bedrie Rama.

“Tri raste të reja pozitive me COVID-19 janë konfirmuar në Podujevë. Burimi i infeksionit është i ri dhe s’është burim i familjeve tjera që kanë qenë të infektuara. Për një dyshohet se është infektuar nga familjarë në periferi të Prishtinës. Nuk janë të punësuar që me dyshua se janë infektuar në vendin e punës. Dy raste e sotme janë në Klinikën Infektive. Nesër do t’i hulumtojmë më shumë për burimet tjera. Dy janë nga Podujeva dhe një në fshatin Gllamnik”, ka thënë Rama.

Krahas rasteve të reja të konfirmuara, sot edhe katër pacientë llapjanë janë shpallur të shëruar nga po e njëjta sëmundje që shkakton ky virus.

“Sot janë shëruar edhe katër pacientë nga ky rajon. Tani i kemi 28 raste aktive. Tetë pacientë i kemi në Prishtinë, gjegjësisht katër në Pulmologji dhe katër të tjerë në Klinikën Infektive. Gjendja e tyre është mesatare dhe s’janë me gjendje shëndetësore të rëndë, kurse këta të tjerët janë me gjendje të mirë dhe stabile”, ka thënë ajo.

Epidemiologia Rama ka theksuar numri rasteve në Podujevë mund të rritet. Ajo ka thënë se familjet që kanë pjesëtarë pozitivë me koronavirus janë izoluar, kurse siç ka thënë ajo, rastet e reja në këtë komunë kryesisht kanë qenë me burim të infeksionit në vendin e punës.

Të martën në Kosovë janë konfirmuar edhe 79 raste me koronavirus, duke e çuar numrin e rasteve aktive në 1250.

Po ashtu, sot janë shëruar edhe 71 pacientë nga po i njëjti virus, duke bërë kështu që numri i të shëruarve të arrijë në 1.577.

Që nga mesi i marsit, kur edhe janë konfirmuar rastet e para, autoritetet kosovare deri më tani kanë regjistruar 2,878 të infektuar me COVID-19. Prej tyre, 51 pacientë kanë ndërruar jetë dhe që të njëjtit kanë pasur edhe sëmundje tjera shoqëruese. /Llapi.info