Edhe katër raste të reja me virusin korona janë konfirmuar sot në Komunën e Podujevës, raporton Llapi.info.

Dy raste janë rrugës për në fshatin Obrançë, një rast në fshatin Kërpimeh dhe një rast në Podujevë. Kështu ka thënë për Llapi.info epidemiologia e QKMF-së në Podujevë, Bedrie Rama. Sipas Ramës, tre nga të infektuarit janë punëtorë në QKUK, gjegjësisht dy mjekë dhe një punëtor i sigurimit.

“Kemi marrë konfirmimin edhe për katër raste pozitive me COVID-19 në Podujevë. Dy raste janë në një familje që janë punëtorë shëndetësorë në QKUK. Sipas informatave që kemi marrë, ata janë infektuar nga një familjar i tyre në Prishtinë dhe jo nga Klinika. I treti rast është punëtor i sigurimit në QKUK, kurse i katërti është punëtor i një marketi. Dy rastet e familjarëve janë rrugës për në fshatin Obrançë, por që banojnë më shumë në Prishtinë, njëri është nga fshati Kërpimeh dhe një në qytet (Podujevë)”, ka thënë ajo.

Epidemiologia Rama ka konfirmuar se në Podujevë ka shkuar në 29 numri i rasteve aktive me COVID-19.

“Me këto katër rastet e sotme, në Podujevë tashmë janë gjithsej 29 raste aktive. Katër pacientë i kemi në Klinikën Infektive dhe dy në Pulmologji. Gjendja e tyre nuk është e rëndë, kurse pacientët e tjerë që janë në vetë-izolim shtëpiak kanë gjendje shëndetësore të mirë dhe stabile”, ka thënë Rama.

Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike ka regjistruar të hënën 122 raste të reja me koronavirus, pas 231 testimeve të bëra. Siç ka njoftuar ky Institut, në Kosovë janë edhe 1,244 raste tjera aktive me këtë virus.

Po të hënën, janë shëruar nga sëmundja edhe 81 pacientë, duke çuar në total numrin e të shëruarve në 1506.

Numri i të infektuarve në Kosovë ka arritur në 2,799. Prej tyre, 49 pacientë kanë ndërruar jetë dhe që të njëjtit kanë pasur edhe sëmundje tjera shoqëruese. /Llapi.info