Pesë raste të reja nga Komuna e Podujevës janë konfirmuar sot me virusin korona, raporton Llapi.info.

Epidemiologia e QKMF-së në Podujevë, Bedrie Rama, për Llapi.info ka theksuar se një person nga Prishtina ka infektuar katër anëtatë të një familjeje në fshatin Dobërdol, kurse një tjetër i konfirmuar me COVID-19 është një mërgimtar i ardhur nga Austria para dy dite.

“Janë raste kontakti nga një person nga Prishtina, mirëpo ai ka qenë si mysafir në fshatin Dobërdol edhe janë infektuar katër anëtarë të një familjeje. Pra, prej një personi janë infektuar katër të tjerë. Kurse, rasti i pestë është një qytetar që nuk ka të bëjë me këta, ai ka ardhur nga Austria para dy dite. Nesër i marrim aktivitetet, i marrim informatat më të hollësishme. Po ashtu, do të interesohemi edhe për kontaktet”, ka thënë Rama për Llapi.info.

Rama ka theksuar se ndër personat e infektuar janë edhe të moshës 15 dhe 20 vjeçare.

Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike (IKSHPK), të hënën ka regjistruar 27 raste të reja me koronavirus, pas kryerjes së 172 testeve.

Ky Institut nuk ka bërë të ditura të rejat e fundit rreth numrit të të shëruarve nga ky virus, ndonëse një ditë më parë është raportuar për 843 persona.

Marrë parasysh të dhënat e fundit, numri i personave të infektuar me këtë sëmundje në Kosovë ka arritur në 1 mijë e 110.

Duhet përkujtuar se rastet e fundit me COVID-19 nga Komuna e Podujevës ishin më 20 prill./Llapi.info