Ka nisur të bie nën 100 numri i rasteve aktive me COVID-19 në Komunën e Podujevës, gjersa në tri ditët e fundit janë konfirmuar pozitivë vetëm dy qytetarë, raporton Llapi.info.

Siç ka njoftuar Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik, të dielën pozitivë për koronavirus kanë rezultuar dy persona, njëri nga fshati Peran dhe tjetri nga fshati Bellopojë.

Si pasojë e rënies së rasteve të reja ditore është zvogëluar edhe numri i rasteve aktive me COVID-19 në Komunën e Podujevës, krahasuar me javët që lamë pas.

Kështu ka thënë për Llapi.info edhe epidemiologia e Qendrës Kryesore të Mjekësisë familjare në këtë Komunë, Bedrie Rama.

“Sot jemi informuar për dy raste pozitive në rajonin e Podujevës. Aktualisht janë edhe 67 raste aktive me po këtë virus”, është shprehur Rama.

Që nga fillimi i pandemisë, e deri më tani, numri i të infektuarve në Llap ka arritur në mbi 5 mijë. Deri tash janë raportuar 61 viktima, kurse rreth 4 mijë pacientë janë shpallur të shëruar.

Në anën tjetër, Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike  njoftoi sot se janë shënuar edhe 71 raste të reja me sëmundjen, COVID-19. Rastet e reja me COVID-19 dalin pas testimit të 3.377 mostrave. Në 24 orët e fundit, sëmundjen COVID-19 e kanë mposhtur 173 pacientë.

Që prej 13 marsit, 2020, deri më 16 maj, 2021, Kosova ka regjistruar 106.914 raste me COVID-19, 2.225 viktima dhe 99.628 të shëruar. Raste aktive, sipas IKSHPK-së, vazhdojnë të jenë edhe 5.061./Llapi.info