Vetëm 14 raste pozitive me COVID-19 janë regjistruar që nga e mërkura e kaluar në Komunën e Podujevës, raporton Llapi.info.

Në 24 orët e fundit, sipas IKSHPK-së, dy banorë nga Podujeva rezultuan pozitivë për virusin korona. Njëri është nga fshati Gllamnik dhe tjetri nga fshati Llapashticë e Epërme.

Lakorja e ulët e të infektuarve brenda ditës ka bërë që të ulët dukshëm edhe numri i rasteve aktive. Për dallim nga muaj më parë, kur rastet aktive ishin me qindra, tash në Podujevë aktivë janë vetëm 23 qytetarë.

Epidemiologia e Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare në këtë Komunë, Bedrie Rama, i ka thënë portalit Llapi.info se është zvogëluar numri i rasteve ditore dhe i atyre aktive, duke shtuar se është rritur numri i pacientëve që kanë mposhtur sëmundjen që shkakton koronavirusi.

“Pas dy dite, sot janë regjistruar dy raste pozitive me COVID-19 në Podujevë. Aktualisht i kemi 23 raste aktive me po këtë virus”, është shprehur Rama.

Më tej, Rama ka shtuar se edhe 51 qytetarë llapjanë janë në pritje të rezultateve nga Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik.

Që nga fillimi i pandemisë, e deri më tani, numri i të infektuarve në Llap ka arritur në rreth 5 mijë. Deri tash janë raportuar 61 viktima, kurse rreth 4.429 pacientë janë shpallur të shëruar.

Në anën tjetër, Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike  njoftoi sot se janë shënuar edhe 44 raste të reja me sëmundjen, COVID-19. Rastet e reja me COVID-19 dalin pas testimit të 2.840 mostrave. Në 24 orët e fundit, sëmundjen COVID-19 e kanë mposhtur 152 pacientë.

Që prej 13 marsit, 2020, deri më 26 maj, 2021, Kosova ka regjistruar gjithsej 107.313 të tilla. Prej tyre, 2.241 pacientë kanë vdekur, kurse janë shëruar deri më sot 101.877 persona. Aktualisht janë edhe 3.195 raste aktive me COVID-19./Llapi.info