Ka shënuar rënie lakorja e numrit të rasteve të reja dhe i atyre aktive me COVID-19 në Komunën e Podujevës, raporton Llapi.info.

Përgjatë 24-orëve të fundit në këtë komunë pozitivë për virusin korona kanë rezultuar dhjetë persona.

Siç thuhet në njoftimin e IKSHPK-së, prej tyre, 4 janë nga qyteti, dy në fshatin Gllamnik dhe me nga një rast në fshatrat; Dobërdol, Dumnicë e Epërme, Lupç i Epërm dhe Obrançë.

Se që është zvogëluar numri i rasteve aktive me këtë virus në Podujevë e ka konfirmuar për Llapi.info edhe epidemiologia e Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare, Bedrie Rama.

“Në Podujevë sot pozitivë kanë dalë 10 persona. Aktualisht i kemi 206 raste aktive”, është shprehur Rama.

 Më tej, Rama ka shtuar se edhe 180 qytetarë janë në pritje të rezultateve nga Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik.

Që nga fillimi i pandemisë, e deri më tani, numri i të infektuarve në Llap ka arritur në mbi 3 mijë. Deri më tani, janë raportuar 44 viktima, kurse 2.749 pacientë janë shpallur të shëruar.

Si pasojë e rënies së numrit të rasteve të reja, ditë më parë Komuna e Podujevës është larguar nga zona e kuqe, për të kaluar kështu në zonën e verdhë. Me kalimin në këtë zonë edhe është hequr kufizimi i lëvizjes së qytetarëve.

Ndërkaq, sot në Kosovë janë shënuar edhe 398 raste të reja me koronavirusin e ri që e shkakton sëmundjen COVID-19. Rezultatet janë në bazë të 2.996 mostrave të testuara.

Në të njëjtën periudhë, këtë sëmundje e kanë mposhtur 228 persona, derisa raste aktive me koronavirus janë 6.639.

Prej 13 marsit të vitit të kaluar, autoritetet shëndetësore në Kosovë kanë regjistruar 66.380 persona të infektuar me koronavirus. Prej tyre 1,572 pacientë kanë vdekur./Llapi.info