Në Komunën e Podujevës po vazhdon të bie numri i rasteve ditore me koronavirus, duke bërë kështu që të bie edhe numri i rasteve aktive, raporton Llapi.info.

Siç ka njoftuar Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik, të dielën pozitivë për koronavirus kanë rezultuar 11 banorë të kësaj Komune. Prej tyre, 4 janë në qytet, 2 në fshatin Llaushë dhe nga një rast në fshatrat; Bellopojë, Halabak, Letanc dhe Revuçë.

Si pasojë e rënies së rasteve të reja ditore është zvogëluar edhe numri i rasteve aktive me COVID-19 në Komunën e Podujevës. Kështu ka thënë për Llapi.info edhe epidemiologia e Qendrës Kryesore të Mjekësisë familjare në këtë Komunë, Bedrie Rama.

“Nga IKSHPK sot jemi lajmëruar edhe për 11 raste të reja me COVID-19 në Podujevë. Aktualisht i kemi 252 raste aktive me po këtë virus”, është shprehur Rama.

Epidemiologia Rama ka thënë se edhe 63 qytetarë llapjanë janë në pritje të rezultateve nga Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik.

Që nga fillimi i pandemisë, e deri më tani, numri i të infektuarve në Llap ka arritur në mbi 5 mijë. Deri tash janë raportuar 60 viktima, kurse rreth 4 mijë pacientë janë shpallur të shëruar.

Në anën tjetër, Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike  njoftoi sot se janë shënuar edhe 160 raste të reja me sëmundjen, COVID-19. Rastet e reja me COVID-19 dalin pas testimit të 3.002 mostrave. Në 24 orët e fundit, sëmundjen COVID-19 e kanë mposhtur 415 pacientë.

Që prej 13 marsit, 2020, deri më 2 maj, 2021, Kosova ka regjistruar 105.535 raste me COVID-19, 2.183 viktima dhe 95.045 të shëruar. Raste aktive, sipas IKSHPK-së, vazhdojnë të jenë edhe 8.307./Llapi.info