Këshilltari i Kuvendit të Komunës së Podujevës, Blerim Maçastena, i cili gjendet në paraburgim në Prokuple të Serbisë, i është drejtuar sot me një letër asamblesë komunale, raporton Llapi.info.

Ai, në letrën tij, duke falënderuar të gjithë këshilltarët komunalë, ka thënë se autoritetet e burgut atje, siç ka thënë ai, kanë qasje të korrekte ndaj tij. Letra e tij është lexuar sot në Kuvendin e Podujevës, ku edhe po mbahet seanca e rregullt.

Maçastena ka shtuar se gjatë muajit janar, siç citohet në letrën e tij, është vizituar nga familjarët e tij.

“Ata më njoftuan që ‘Kuvendi Komunal sot nga ora 10:00 mbanë mbledhje të jashtëzakonshme për rastin tënd dhe jemi të thirrur si familje të marrim pjesë. Ndjenjë e pa përshkruar krenarie. Falë shokëve në fund të muajit mars i sigurova procesverbalet e mbledhjeve të Kuvendit Komunal (edhe pse kaluan 5 ditë në kontroll të Gjykatës). Me kënaqësi i lexova fjalimet e secilit prej jush. I dëgjova përshëndetjet dhe urimet e juaja. E vërejta përkushtimin e pashoq të secilit prej juve. I ndjeva emocionet e fjalimeve të shokëve dhe shoqeve për shokun e tyre. E di që rasti im i ka prekur ndjenjat e shumë qytetarëve anë e mbanë vendit, sidomos të atyre që i njoh dhe më njofin. Jam ndier shumë keq në fillim, po ndihem edhe tani, ju kërkoj falje të gjithëve”, ka shkruar Macastena në letrën e tij, e që të cilën e ka lexuar përpara asamblesë komunale, këshilltari i LDK-së, Qendrim Softolli.

Më tej, në letrën e tij, Maçastena ka thënë se vizitohet rregullisht nga ambasadori i Kosovës në Beograd, Jetish Jashari.

“Deri më tani autoritetet e burgut kanë qasje korrekte ndaj meje, me shëndet jam mirë, e di që këto dy gjëra ju interesojnë më së shumti. Familjarët më vizitojnë rregullisht njëherë në javë. Gjithashtu ambasadori i Kosovës në Beograd z.Jetish Jashari më viziton rregullisht njëherë në muaj. Të dy palët më informojnë për zhvillimet në vend”, ka shkruar tutje ai.

“Të dashur shokë e shoqe, nga ju dua ndershmëri në punë, punë të mira për Komunën dhe përkushtim për vendin, ju dëshiroj shëndet e të gjitha të mirat në jetë. Kurse shokut tuaj i mbetet të qëndrojë ashtu si i ka hije, ashtu siç është edukuar nga familja dhe shoqëria”, ka shkruar Blerim Maçastena.

Dy qytetarë nga Podujeva janë arrestuar nga Policia serbe, të cilët dyshohet se kanë dalë në territorin e Serbisë më 13 dhjetor të vitit të kaluar.

Njëri më pas është liruar, ndërkohë që Maçastena vazhdon të jetë në paraburgim./Llapi.info