Të dielën në Podujevë janë konfirmuar edhe katër raste të reja me koronavirus, raporton Llapi.info.

Sipas Institutit Kombëtar të Shëndetit Publik, 1 rast është në qytet dhe me nga një rast në fshatrat; Llugë, Bellopojë dhe Batllavë.

Epidemiologia e Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare, Bedrie Rama ka thënë për Llapi.info se aktualisht aktivë me virusin korona janë edhe 68 persona.

“Sot janë konfirmuar katër raste pozitive me COVID-19. Aktualisht i kemi edhe 68 raste aktive dhe tashmë janë shpallur të shëruar 491 pacientë”, thotë Rama.

Tutje Rama ka thënë se edhe 40 qytetarë janë në pritje të rezultateve nga Insituti Kombëtar i Shëndetit Publik.

Rasti i parë pozitiv me virusin korona në Podujevë ishte konfirmuar më 15 mars. Që nga atëherë, 2.172 persona janë testuar, ndërkohë që rreth 600 llapjanë kanë rezultuar pozitivë. Prej tyre, 491 janë shëruar dhe 18 raste janë raportuar me fatalitet.

Në anën tjetër, Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKSHPK), bën të ditur se gjatë të dielës ka regjistruar shtatë të vdekur dhe 71 raste të reja me COVID-19, sëmundjen që e shkakton koronavirusi.

Numri i rasteve të reja me COVID-19, vjen pas testimit të 612 mostrave.

Me të dhënat e fundit, numri i përgjithshëm i të vdekurve me koronavirus në Kosovë ka arritur në 596.

Gjatë 24 orë janë shëruar edhe 163 pacientë, duke e çuar në 11,435 numrin e përgjithshëm të të shëruarve.

Që prej shfaqjes së rasteve të para me koronavirus në Kosovë, gjashtë muaj më parë (13 mars) e deri më 13 shtator, janë regjistruar 14,637 raste me COVID-19. Raste aktive vazhdojnë të jenë edhe 2,606./Llapi.info