Këshilli Komunal për Siguri në Bashkësi i Komunës së Podujevës ka mbajtur mbledhjen e rregullt në të cilën ka analizuar gjendjen e sigurisë në komunë dhe është informuar rreth gjendjes emergjente të krijuar nga pandemia COVID-19 dhe masat parandaluese dhe sensibilizimi i qytetarëve për pasojat nga zjarri gjatë periudhës së korrje-shirjeve dhe djegieve të pyjeve, njofton kumtesa komunale, transmeton Llapi.info.

Këshilli Komunal për Siguri në Bashkësi (KKSB) i Komunës së Podujevës, në mbledhjen e sotme, të cilën e udhëhoqi nënkryetari i Komunës, Nexhmi Rudari, ka shqyrtuar gjendjen e sigurisë në Komunë; informatën rreth gjendjes emergjente të krijuar nga Pandemia – Covid 19 në Komunën e Podujevës dhe masat parandaluese dhe sensibilizimi i qytetarëve për pasojat nga zjarri gjatë periudhës së korrje-shirjeve dhe djegieve të pyjeve.

Lidhur me gjendjen e sigurisë në Komunë raportoi Komandanti i Stacionit të Policisë në Podujevë, kapiteni Bekim Zogiani, i cili gjendjen e përgjithshme të sigurisë, pavarësisht se ndodhemi në kohë pandemie, e vlerësoi të qetë dhe stabile. Kapiteni Zogiani e vlerësoi lart bashkëpunimin me Komunën dhe institucionet e tjera gjatë kohës së shpalljes së gjendjes pandemisë dhe emergjencës shëndetësore, me ç’rast janë aplikuar edhe masat e kufizimit të lëvizjes dhe ndalimit të veprimtarive të institucioneve dhe bizneseve të ndryshme.

Komandanti i Stacionit të Policisë bëri të ditur se gjatë kësaj periudhe janë evidentuar 56 raste të mos respektimit të dispozitave shëndetësore në kohë pandemie. Ndërsa, aktualisht 32 persona në territorin e Komunës së Podujevës janë në vetizolim. Shqetësuese gjatë kësaj periudhe, sipas komandantit Zogiani, janë rastet e raportuara të vjedhjeve dhe dhunës në familje.

Përfaqësuesi i KFOR-it gjendjen e sigurisë në Komunë e ka vlerësuar të qetë dhe stabile dhe vlerësoi lart menaxhimin e situatës gjatë pandemisë COVID-19. Edhe përfaqësuesi i FSK-së raportoi për angazhimin e forcës së sigurisë gjatë kësaj periudhe, veçmas kontributin në transportin e qytetarëve që janë kthyer nga vendet e tjera.

Lidhur me gjendjen e krijuar nga pandemia COVID-19, nënkryetari i Komunës, Nexhmi Rudari tha se janë ndërmarrë të gjitha masat e nevojshme, konform vendimeve dhe rekomandimeve të IKSHPK dhe vendimeve të institucioneve qendrore.

Nënkryetari Rudari tha se menjëherë pas raportimit të rastit të parë me COVID-19 në komunën tonë, më 15 mars ka konstituar Komisionin-shtabin komunal për veprime dhe masa parandaluese për mbrojtje nga COVID 19.

Nënkryetari Rudari tha se gjatë periudhës së shpalljes së pandemisë dhe gjendjes së emergjencës shëndetësore janë mobilizuar të gjithë mekanizmat komunalë, policia, punëtorët shëndetësorë, zjarrfikësit me qëllim të menaxhimit sa me efikas të situatës.

Me këtë rast Rudari falënderoi të gjithë akterët për angazhimin dhe përkushtimin në tejkalimin e situatës, veçmas qytetarët për bashkëpunimin dhe disiplinën e treguar dhe zbatimin e rekomandimeve dhe masave të ndërmarra.

Nënkryetari Rudari vlerësoi punën që po bën ekipi mjekësor i QKMF në pikë-kalimin kufitar në Merdar, i cili që nga shpallja e pandemisë ka bërë mbi 8,000 kontrolle të personave që kanë hyrë në këtë pikë kufitare.

Më tej ai tha se në komunën tonë aktualisht nuk ka asnjë person të prekur me COVID-19, kurse nga 20 prilli nuk është shënuar asnjë rast me të infektuar.

Drejtori i Drejtorisë së Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, Zaim Thaçi, raportoi për mobilizimin dhe aktivitetet e zhvilluara gjatë kësaj periudhe të pandemisë.

Gjatë kësaj periudhe, drejtori Thaçi tha se ekipet shëndetësore kanë kryer vizita në familjet ku janë identifikuar rastet me COVID-19 dhe është aktivizuar shërbimi i triazhimit. Drejtori Thaçi tha se Komuna ka ndarë një buxhet prej 362,000 euro për menaxhimin e situatë së krijuar nga pandemia. Nga buxheti i komunës janë siguruar 2,280 pako ushqimore për qytetarët dhe mbi 2000 të tjera nga donatorët. Gjithashtu është kryer dezinfektimi i hapësirave në objekte publike, hyrje banesore, shtëpitë e personave të prekur me COVID-19 dhe të rrugëve kryesore të qytetit.

Në takimin e sotëm, drejtori i Shërbimeve Publike, Mbrojtje dhe Shpëtim, Faik Muçiqi, paraqiti informatën e Shërbimit të Zjarrfikësve dhe Shpëtimit për periudhën e deritashme të këtij viti. Drejtori Muçiqi tha se deri tani janë evidentuar 182 raste te djegies së pyjeve, të cilat kanë përfshirë një sipërfaqe prej 343 hektarësh dhe 104 hektarë barishte dhe hamullore.

Ai tha shqetësues, mbeten rastet e djegies së pyjeve të cilat shkaktohen me qëllim, pasi gjatë kësaj periudhe nuk ka pasur temperatura të larta.

Drejtori i Drejtorisë së Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Vezir Januzi, foli për masat parandaluese dhe sensibilizimi i qytetarëve për pasojat nga zjarri gjatë periudhës së korrje-shirjeve dhe djegieve të pyjeve. Lidhur me këtë çështje drejtori Januzi tha se nevojitet sensibilizim i qytetarëve për parandalimin e kësaj dukurie dhe mobilizim më i madh i të gjitha strukturave përgjegjëse, duke përfshirë këtu Drejtorinë e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural si dhe Agjencinë e Pyjeve të Kosovës./Llapi.info

Image may contain: 4 people, people sitting, living room and indoor